Monedha e përbashkët europiane e ka nisur javën e nënçmuar përkundrejt lekut vendas.
Një euro është këmbyer sot në nivelin e 129 lekëve, rreth 0.29 pikë më pak se një ditë më parë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Euro ka shënuar ditën e dytë radhazi me rënie, duke u zhvlerësuar me më shumë se gjysmë leku prej fundit të javës së shkuar.
Sipas ekspertëve, në këtë periudhë luhatjet në kursin e këmbimit euro/lek kanë qenë të mëdha. Për këtë arsye edhe pikat e vogla të këmbimit valutor kanë rritur diferencën midis çmimit të shitjes dhe të blerjes të euros. Luhatjet e euros kanë qenë jo tipike sipas tyre duke qenë se monedha e përbashkët në përgjithësi ka qenë një monedhë e qëndrueshme.
Arsyet e dobësisë së euros në tregun vendas janë të shumta:
-Së pari, oferta në euro ka qenë e lartë prej më shumë se një vit, si rrjedhojë e shtimit të hyrjes së saj nga kanalet informale. Kjo euro ka hyrë gradualisht në tregun vendas, ku efekti më i madh është në ndërtim, në blerje apartamentesh. Agjentët e këmbimit valutor kanë pohuar se ndërtuesit shesin apartamente në valutë dhe i këmbejnë ato në lekë.
-Së dyti, politika e deeuroizimit të Bankës së Shqipërisë e ka bërë euron të papreferuar. Të dhënat zyrtare treguan se në shkurt depozitat në valutë ranë me rreth 46 milionë euro, para që ka dalë jashtë kanaleve bankare Nga ana tjetër, ka një tendencë të individëve për të konvertuar kursimet në lekë, ndërsa dhe një pjesë e transaksioneve të biznesit po kryhen në lekë, duke anashkaluar euron.
Së treti, një arsye e rëndësishme që japin ekspertët lidhet me ritmet e dobëta të ekonomisë dhe konsumit.
Së katërti, 2018-a pritet të jetë një vit shumë aktiv në drejtim të konsolidimit të sistemit bankar dhe po shoqërohet me transaksione të mëdha të shit-blerjes së bankave ose konvertimit të kapitalit, që pritet të kenë ndikim si në kërkesën ashtu dhe në ofertën për valutë.
Së pesti, hotelet kanë marrë parapagim në valutë nga rezervimet e agjencive turistike, teksa edhe këtë vit vendi ynë pritet të arrijë rekord të numrit të turistëve që vijnë për pushime.
Ndersa dollari amerikan ka nisur të forcohet në tregun vendas. Një dollar u këmbye sot në kuotën e 105.42 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Dollari ka reflektuar në tregun vendas forcimin që ka pasur në tregjet ndërkombëtare përkundrejt monedhës europiane. Sipas kursit të këmbimit të Financial Times, një euro është këmbyer me 1.22 USD. Euro po luhatej së fundmi në nivelin e 1.24 dollarëve, pasi kapi nivelin më të lartë të tre viteve 1EUR=1.25USD.
Sipas Reuters në forcimin e monedhës së gjelbër në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar rritja e normave të kthimit nga Thesari Amerikan./monitor