Gjatë muajve qershor dhe korrik, nëpërmjet një vargu masash, udhëheqësit europianë i fortifikuan kufijtë e Evropës përgjatë perimetrit jugor, në një përpjekje tjetër për të kufizuar emigrimin ilegal drejt kontinentit. Ky aksion përfshin tashmë edhe përpjekjet për të mos lejuar ankorimin nëpër porte të anijeve të shpëtimit të OQJ-ve të ndryshme humanitare, të mbushura me refugjatë nga Deti Mesdhe – ku më shumë se 10 mijë prej tyre janë zhdukur që nga viti 2014.
Përzierja e kufizimeve, që refuzojnë të drejtën për azil politik, me kufizimin e qasjes së refugjatëve në Europë, ka përkrahës të vendosur përtej populistëve të djathtë. Shumë liberalë të qendrës, pohojnë se kufizimi i mëtejshëm i flukseve të refugjatëve, është e vetmja mënyrë për të ndalur ngjitjen mbresëlënëse të së djathtës nacionaliste në Europë, dhe për të shpëtuar atë që ka mbetur nga sistemi i azilit, para se populistët si Ministri i Brendshëm italian Mateo Salvini dhe kolegët e tij, të arrijnë ta anulojnë atë plotësisht.
Nuk është ende e qartë nëse ulja e numrit të emigrantëve të rinj, do të ndalojë me sukses rritjen e të djathtës ekstreme. Sidoqoftë, plani ngre pikëpyetje më të thella, rreth asaj se sa kompromis mund të përballojnë ende vlerat humanitare të Europës, përpara se të rrezikohen tërësisht.
Këto pyetje morale dhe etike rreth qëllimeve dhe mjeteve, po debatohen askund më me shumë zemërim se në Gjermani, vendin europian që krenohet më së shumti në traditën e tij të filozofisë morale, nga Imanuel Kanti tek Jurgen Habermasi.
Por debati ilustron ndërkohë faktin, se në një periudhe krize politike, parimet humanitare të Europës nuk janë pothuajse aq të papranueshme, sa besonin dikur qytetarët e saj. Debati zhvillohet në kohën kur numri i refugjatëve që vijnë nga deti në krahasim me vitin 2015, ka rënë në mënyrë dramatike.
Këtë vit, ka pasur vetëm 48.629 të ardhur, ose rreth 5 për qind të totalit të vitit 2015. Në të njëjtën kohë, numri i lartë i viktimave të refugjatëve në Detin Mesdhe mbetet po i tillë:1.422 persona, janë mbytur që nga fillimi i këtij viti. Dhe në të njëjtën kohë, nacionalistët e ekstremit të djathtë të Europës, si Salvini, partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe kryeministri hungarez Viktor Orban, vazhdojnë të rriten në sondazhe, dhe të përkrahin masa gjithnjë e radikale për të mbajtur refugjatët jashtë Europës.
Në përgjigje, Bashkimi Europian pranoi njëzëri të shpenzonte trefish më shumë para për Frontex, agjencinë e tij të kufirit dhe rojes bregdetare, me misionin e sigurimit të kufijve të jashtëm të BE. Blloku është gjithashtu i përgatitur, të shpenzojë shuma të mëdha parash për të ndihmuar në krijimin e kampeve të pritjes, të referuara edhe si “platforma të zbarkimit”, për azilkërkuesit në vendet jashtë BE-së, në Afrikën Veriore.
Ndërkohë, udhëheqja e re populiste e Italisë këmbëngul se nuk do të shërbejë më si depo e refugjatëve në Europë, një qëndrim që përfshin shkeljen e së drejtës ndërkombëtare, duke i dëbuar refugjatët nga brigjet e saj, madje edhe ata që janë shpëtuar nga flota e vet.
Qeveria gjermane dëshiron të shtojë Algjerinë, Tunizinë, Gjeorgjinë dhe Marokun, në një listë të të ashtuquajturve vende të sigurta, nga të cilat do të pranojë pak ose zero refugjatë. Hungaria po harton një ligj që ndëshkon penalisht ata që ndihmojnë refugjatët ilegalë në vend.
Por, në asnjë nga këto çështje nuk ka një mungesë kaq të madhe të humanizmit për fatin e emigrantëve dhe refugjatëve, sesa në debatin e zjarrtë për anijet e shpëtimit të OJQ-ve, që kanë qenë aktive në Mesdhe, kryesisht midis Italisë dhe Libisë.
Për tre vitet e fundit, anijet – 12 në 2017, aktualisht vetëm 5 – kanë marrë kryesisht refugjatë në ujërat ndërkombëtare, dhe i kanë dorëzuar ata në portet evropiane, ku mund të aplikojnë për azil. Grupi “SOS Méditerranée”, thotë se gjatë 2 viteve të operacioneve të shpëtimit në det, ka shpëtuar më shumë se 29.000 emigrantë.
Italia i ka ndaluar organizatat humanitare të operojnë me anijet e shpëtimit në ujërat e saj territoriale, dhe Malta u mohon hyrjen në portet e saj, kur kanë refugjatë janë në bord. Në qershor, BE-ja iu bashkua kësaj qasje, duke thënë se operatorët e varkave të shpëtimit mund të shkelin ligjin, dhe do të bënin më mirë të qëndronin në porte.
Ish-ministri i brendshëm i Austrisë i quajti ato “të ashtuquajtur ndihmëtarë”, të cilët ai pretendon se janë bashkëpunëtorë të trafikantëve të qenieve njerëzore. Italia është vendi më i fundit, ku janë ngjitur në pushtet partitë nacionaliste, dhe ku çështjet e emigracionit kanë luajtur një rol vendimtar në fitoren e tyre.
Në Gjermani, AfD-ja qëndron tani në nivelin 16 përqind në sondazhet e opinionit, deri në 4 pikë më shumë nga votimet e shtatorit 2017 – një zhvillim që shumë pak njerëz e imagjinuan se ishte e mundur. Populistët anti-BE, zënë tashmë gati një të katërtën e vendeve në Parlamentin Europian, dhe zgjedhjet evropiane të vitit të ardhshëm mund të rrisin pjesën e tyre. Në gazetën “Süddeutsche Zeitung”, gazetari Volfgang Luef shkruan se është tronditjur nga fakti se në Gjermani ka një mendim të ndarë mbi çështjen nëse do të ndihmonin njerëzit që po vdisnin, apo thjesht do t’i braktisnin në fatin e tyre.
Kjo sipas tij është “hapi i parë drejt barbarizmit, fillimit të fundit të idesë evropiane”. “Ne nuk mund të apelojmë për të drejtat e njeriut, iluminizmin dhe humanizmin, ndërkohë që kriminalizojmë shpëtimin e njerëzve që mbyten në det”. Edhe filozofët gjermanë, janë përfshirë në këtë debat për të ndihmuar në zgjidhjen e njërës prej çështjeve etike më të mprehta.
Shumica, përfshirë filozofin politik Mathias Hoesh nga Universiteti i Mynsterit, pajtohen që nëse BE-ja ose shtetet bregdetare nuk janë të gatshme për të shpëtuar jetën e emigrantëve të bllokuar, atëherë organizatat humanitgare veprojnë në mënyrë të moralshme. Ndaj do të ishte e gabuar kriminalizimi i veprimtarisë së tyre.
Por disa kritikë eticistë, thonë se operatorët e anijeve të shpëtimit kanë shkuar shumë larg, duke vepruar në një fushë gri (legjitime) të zbatimit të idealeve humanitare, dhe ndërhyrjes politike (të paligjshme) që anashkalon procesin demokratik, të motivuar nga besimi se ligjet dhe praktikat e BE-së, nuk u mundësojnë njerëzve të aplikojnë për azil politik, dhe të marrin mbrojtje nga persekutimi, dhe se migrantët e mundshëm, do të kenë nevojë për ndihmë sipas ligjit ndërkombëtar.
Megjithëse filozofët në Gjermani mund të dëgjohen, fjalët e tyre nuk janë urdhra. Pozicioni i ri i qendrës, vë një theks të madh tek parandalimi, që do të thotë anulimi i azilit politik për ta shpëtuar sistemin. Dhe kur parandalimi përfshin dëmtimin ose madje kriminalizimin e punës së anijeve shpëtuese të OJQ-ve, rrezikohet mbytja e njerëzve.
Çështja me të cilën ballafaqohet Gjermania dhe Europa më gjerë, është nëse partitë e saj kryesore dhe votuesit e tyre, janë të gatshëm të pranojnë se vdekja në det, është një mjet për të adresuar krizën e emigracionit. Çështja e politikës së Evropës mund të zgjidhet, por llogaria e saj morale do të mbetet e hapur. / “Foreign Policy” – Bota.al