Eurovisioni ka ndaluar Bjellorusinë të marrë pjesë në konkursin e këtij viti me këngën “I will teach you”, e cila tallet me protestuesit që kanë dalë në rrugë kundër diktatorit Alexander Lukashenko.
Kënga, e realizuar nga grupi “Galasy ZMesta”, u zgjodh nga transmetuesi kombëtar i Bjellorusisë për të konkurruar në Holandë në maj, në vend se të zgjidhej me një votim publik siç ishin hyrjet e tjera në vitet e fundit, njofton Guardian.
“Galasy ZMesta” kanë qenë mbështetës të zëshëm të regjimit të Lukashenkos, duke shkruar në faqen e tyre të internetit se ata “nuk mund të qëndrojnë indiferentë” ndërsa protestuesit “po përpiqeshin të prishnin vendin që ne e duam dhe në të cilin jetojmë”. I pari i grupit, Dmitry Butakov, një ish-përkthyes ushtarak, ka thënë se ai ka një mentalitet “sovjetik” dhe ende e ka të vështirë të pranojë rrëzimin e BRSS.
Protestat masive shpërthyen në ish-shtetin sovjetik verën e kaluar kur Lukashenko, i cili ka qeverisur me Bjellorusinë për 26 vjet, pretendoi për fitore në zgjedhjet e manipuluara. Në një moment, protestat u dukën se rrëzuan regjimin e tij, por policia u përgjigj me një goditje të dhunshme, duke torturuar protestuesit e arrestuar dhe duke detyruar figurat e opozitës të largohen nga vendi.
Butakov e përshkroi këngën në gjuhën ruse si satirike dhe ka thënë se nuk i drejtohej lëvizjes së protestës. Por Bashkimi Evropian i Transmetimeve (EBU), i cili drejton konkursin, ka thënë se kishte ngjyrë politike brenda tekstit të këngës.
EBU ka thënë se Bjellorusia do të duhet të rishkruajë këngën, të tentojë për një hyrje tjetër ose të përballet me skualifikim.
Përveç burgosjes së disa prej politikanëve opozitarë dhe protestueseve, regjimi i Lukashenkos ka burgosur edhe disa gazetarë që mbuluan protestat në Bjellorusi.