Evropa e paguan me valë të tretë çmimin e pezullimit të vaksinave

Prishtinë | 19 Mar 2021 | 21:39 | Nga Ekonomia Online

Franca, Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane kanë vazhduar përdorimin e kurës kundër COVID-19 të kompanisë “AstraZeneca”, pas shqetësimeve për efekte të rënda anësore, por shtegu i injektimit ka vazhduar të jetë tepër i ngadaltë për ta shmangur një valë të re të përhapjes së infeksioneve

Qeveritë përreth Evropës kanë garuar të premten për t’i hequr pezullimet ndaj vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë “AstraZeneca” dhe për ta siguruar publikun përherë e më të dërrmuar dhe të shqetësuar se kura është e sigurt.

Krejt kjo në kohën e shpërthimit të një vale të re infeksionesh, e cila ka nxitur shumë shtete që t’i zbatojnë sërish masat e ashpra të kufizimit të lëvizjes dhe funksionimit të bizneseve.

Zyrtarët gjermanë kanë paralajmëruar se planet për zbutjen e kufizimeve deri në Pashkë do të duhet të pezullohen dhe kanë njoftuar se masat e reja mund të bëhen të nevojshme për javët në vijim.

Parisi është bërë të premten një prej qyteteve të shumta të Francës, në të cilët qytetarët janë urdhëruar të qëndrojnë brenda shtëpive. Italia ka hyrë që të hënën në izolimin e tretë mbarëkombëtar, ndërsa Polonia ka vendosur për izolim duke nisur nga e shtuna.

Vendimet e ngutshme për rikthim në izolime janë marrë në pothuajse çdo shtet të Evropës që ka pezulluar përdorimin e vaksinës së “AstraZenecas” – përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën – të cilat tanimë kanë njoftuar se do ta rifillojnë përdorimin e saj. Por, ndërprerja e shkurtër në përdorimin e vaksinës ka rënduar shtegun edhe ashtu të ngadaltë të vaksinimit masiv, gjë kjo që ka nxitur zyrtarët të dalin me paralajmërime se e vetmja mënyrë për kontrollimin e virusit është zbatimi i masave të kufizimit.

Një vit pas shpërthimit të pandemisë, rutina e izolimeve të njëpasnjëshme e ka dërrmuar shumicën e familjeve në Evropë. Ndërkaq, numri i rasteve pozitive me COVID-19 ka vazhduar të rritet.

Përreth gjithë Evropës, bilanci zyrtar i vdekjeve ka shkuar në mbi 900.000 javën e shkuar, kanë treguar të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Por, gjatë kësaj pranvere, pasqyra supozohej të ishte ndryshe.

Vala e re e infeksioneve përbën një rikujtues të qartë se jo mjaftueshëm persona janë injektuar për ta frenuar seriozisht shkallën në rritje të rasteve që po përhapen nëpër kontinent. Kësisoj, qeveritë evropiane janë detyruar përsëri që t’i shtrëngojnë kufizimet edhe ashtu të ashpra për bizneset dhe takimet shoqërore.

“Ende nuk ka mjaftueshëm doza të vaksinave në Evropë për ta ndalur valën e tretë vetëm nëpërmjet vaksinimit”, ka thënë të premten ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn. “Edhe nëse dërgesat nga porositë e bëra të BE-së mbërrijnë në orarin e kontraktuar, prapëseprapë do të duhen disa javë derisa grupet e rrezikuara të vaksinohen plotësisht”.

Përpjekja për vaksinimin masiv përreth BE-së është përballur me goditje të rëndë këtë javë, pasi që më shumë se dhjetëra shtete kanë pezulluar përdorimin e vaksinës së “AstraZenecas”, si rrjedhojë e raporteve për paraqitjen e rasteve të mpiksjes së gjakut. Por, këtë dyshim e eliminoi të enjten Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), e cila ka konfirmuar se hulumtimet e bëra nuk kanë treguar se vaksina është e ndërlidhur me rastet dhe se është “e sigurt dhe efikase”.

Pas kësaj, liderët politikë kanë nxituar që ta zhbëjnë dënim e bërë, duke e rinisur përdorimin. Mirëpo, dëmi veçse është shkaktuar për sa i përket besimit në vaksinë. Ndërkaq, dëmi më i rëndë është reflektuar në shifrat ditore të të infektuarve dhe të vdekurve.

“Numri i personave të vdekur nga COVID-19 në Evropë është tani më i lartë sesa ka qenë në këtë kohë gjatë vitit të shkuar”, ka thënë Hans Kluge, drejtor për Evropë i OBSH-së. “Aktualisht, në Evropën Qendrore, Ballkan dhe shtetet baltike, hospitalizimet dhe vdekjet janë ndër më të lartat në botë”.

Franca ka raportuar vetëm gjatë së mërkurës afro 40.000 raste të reja të infektimit me koronavirus – shifër kjo më e larta që nga nëntori, kur vala e dytë e virusit kishte nxitur izolimin e tërësishëm të vendit.

Më tej në Evropë, premtimet për zbutjen e kufizimeve deri në Pashkë tani janë vënë në rishikim. Në Gjermani, ku rastet janë rritur me ritëm enorm, zyrtarët kanë paralajmëruar për “javë të zorshme në vijim”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme