Bashkimi Evropian po përgatitet që të caktojë përfundimisht vitin 2025 si afat të fundit për valën e re të zgjerimit, por shtetet e Ballkanit mund t’i ndryshojnë gjërat.
“Partnerët e Ballkanit Perëndimor tani kanë një mundësi historike. Për herën e parë, perspektiva e pranimit të tyre është në afat kohor më të mirë”, thuhet në një letër të siguruar nga “EUobserver” që pritet të shpaloset më 14 shkurt nga Bashkimi Evropian. “Me dëshirën e fortë politike, reformimin real dhe zgjidhjet e qëndrueshme ndaj mosmarrëveshjeve mes fqinjëve, Mali i Zi dhe Serbia duhet të jenë gati për pranim më 2025”.
Aty theksohet se Shqipëria, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova “duhet të jenë në nivel të avancuar në rrugën evropiane deri atëherë”, ose, sipas një alternative tjetër “negociatat… duhet të avancojnë deri atëherë”.
Serbia dhe Mali i Zi tashmë kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE. Shqipëria dhe Maqedonia po shpresojnë ta bëjnë këtë sivjet. Maqedonia duhet të rregullojë fillimisht problemet për emrin me Greqinë. Bosnja, pritet të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova konsiderohet që zyrtarisht të emërohet si kandidate.
Në dokument theksohet se problemet mes shteteve në Ballkan mund të bllokojnë planin “ambicioz”.
Aty propozohet që secila mosmarrëveshje për kufij duhet të zgjidhet përmes instancave më të larta si Arbitrazhi dhe çdo vendim duhet të jetë “i detyrueshëm, përfundimtar” dhe “plotësisht i respektueshëm”, transmeton Koha.net.
Problemi më i madh shihet mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Komisioni thotë se “normalizimi i marrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës në formë të një marrëveshje ligjore të detyrueshme” do të ishte “kruciale” për rrugën e të dy vendeve drejt BE-së.
Për Kosovën, problemet janë edhe më të mëdha. Pesë shtete të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë, shkruan “EUobserver”. Aty përmendet edhe tentativa për bllokimin e Gjykatës Speciale si dhe refuzimi i vizës amerikane për kryeministrin Ramush Haradinaj.