Evropa përgatitet për fillimin e vaksinimit, procesi nis të dielën

Prishtinë | 26 Dhj 2020 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë duke i bërë përgatitjet e fundit për fillimin e fushatës së vaksinimit kundër koronavirusit. Hungaria tashmë e nisi këtë proces të shtunën.

Autoritetet në Gjermani thanë se kamionët me vaksina janë rrugës për në shtëpitë e të moshuarve, të cilët janë të parët që do të vaksinohen, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Qeveria federale është duke planifikuar që të shpërndajë mbi 1.3 milion doza të vaksinës te autoritetet shëndetësore lokale deri në fund të këtij viti dhe rreth 700.000 doza në javë nga janari.

Në Portugali, një kamion i përcjellë nga policia e solli dërgesën e parë me vaksina në pjesën qendrore të vendit. Nga ai vend, rreth 10.000 dozat që ndodhen në ngarkesë do të shpërndahen në pesë spitale të mëdha.

“Ky është hap historik për të gjithë ne, ditë e rëndësishme pas një viti kaq të vështirë. Tash është hapur një dritare e shpresës, pa harruar se para nesh është një luftë shumë e vështirë”, tha ministrja portugeze e Shëndetësisë, Marta Temido.

Procesi i vaksinimit pritet të fillojë të dielën në vendet e mëdha të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Italinë, Francën dhe Spanjën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme