Është ëndërr e të gjithëve që të qëndrojnë në fushë, krah për krah me shokët e ekipit në një turne të madh futbolli derisa intonohet himni kombëtar me logon e vendit që e përfaqësojnë të ngjitur në fanellë.
Një gjë e tillë mund të mos ndodhë për lojtarët si Harry Kane, Raheem Sterling dhe ekipin e tyre që të luajnë në qershor në Evropian, por një ekip i Anglisë ende shpreson të luajë në një turne në Evropë këtë verë nëse koronavirusi largohet deri në muajin gusht. Megjithatë, ky nuk është ekipi i zakonshëm i Anglisë, transmeton KOHA.
“Është shumë larg deri në verë, por do të jetë një histori e shkëlqyer për të gjithë ne që do të luajmë në këtë turne. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i shtyjmë kufijtë derisa të bëhemi ekip ndërkombëtar futbolli”, thotë Gary Christian, kapiten i ekipit Peel St-Germain nga Anglia.
“PSG” është një ekip i punonjësve të zyrave, punëtorëve tjera dhe pastruesve. Ky ekip është përcaktuar që të paraqitet me emrin Anglia në turneun që njihet si Kampionati Evropian i Fshatrave Malore – që mbanë nofkën “turne i çmendur në Alpe”.
Ky Evropian i pazakontë përbëhet prej tetë ekipeve që përfaqësojnë zonat malore të vendeve të tyre dhe zhvillohet në majat më të larta të Evropës çdo katër vjet, dhe vitet e fundit ka garuar përkrah Kampionatit Evropian profesional që mbahet nën ombrellën e UEFA-s.
Turneu i këtij viti do të zhvillohet në fushën më të lartë të futbollit në Evropë, saktësisht në një fshat të largët të Zvicrës. Shorti për këtë u hodh në muajin nëntor të vitit të shkuar, kurse pjesëmarrës në të ishte edhe ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter.