Një fabrikë e reciklimit në kryeqytetin e Tanzanisë, Dar es Salaam, ka filluar të prodhojë mbrojtëse të fytyrës nga shishet e plastikës gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, pas rritjes së kërkesave nga spitalet dhe nga qendrat shëndetësore në gjithë vendin.
Deri më herët këtë vit, Zaidi Recyclers kishin një biznes të suksesshëm në riciklimin e letrës të cilën e eksportonte më pas te konsumatorët në Kinë dhe Indi, duke siguruar të hyra deri në 37 mijë dollarë në muaj, sipas themeluesit Allen Kimambo.
Por, porositë e reja janë shterur, ndërsa vendi ka vendosur masa izoluese për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Por, Kimambo shpejt e pa mundësinë për të shpëtuar biznesin e tij dhe punën e gjithë 38 punëtorëve në fabrikë. Zaidi Recyclers u kthye në prodhim të mbrojtëseve të fytyrës, një pjesë e rëndësishme e pajisjeve mbrojtëse personale për punëtorët shëndetësore gjatë pandemisë së koronavirusit.
“Nuk bën të bësh panik, pasi këto kriza kanë qenë prezente, nuk është hera e parë që po përballemi me një krizë të tillë”, ka thënë Kimambo. “Nëse bën panik, atëherë do të humbësh dhe nuk do të jesh në gjendje të jesh aktiv siç ke qenë më parë”.
Porosi ka pasur me bollëk nga sektori i shëndetësisë nëpër Tanzani, siç thotë Kimambo. Në javët e fundit fabrika e tij ka prodhuar deri në 6000 mbrojtëse të fytyrës nga shishet e plastikës me kosto nga 2 dollarë copën.
Tanzania deri më tash ka regjistruar 509 raste me koronavirus dhe 21 të vdekur.