Pesëdhjetë ari tokë të shtetit të shitura për 50 euro, qindra hektarë të blerë nga komandantët me çmime sa një shujtë e thjeshtë ditore për ari. Nga ana tjetër, bordi i Agjencisë së Privatizimeve ishte paguar deri në 3 mijë euro për një mbledhje. 15 vjet më vonë vëmendja është rikthyer te privatizimet. Çka ndodhi me pronat e shtetit, si u shitën e kush i bleu?
Rreth 18 vjet më parë, Kuvendi i Kosovës ishte institucioni i cili kishte urdhëruar që tokat dhe asetet e tjera të shtetit të privatizoheshin, duke u shitur te individë të ndryshëm. Po Kuvendi i Kosovës më 10 korrik të këtij viti formoi një komision parlamentar për ta hetuar procesin e privatizimit të aseteve publike, që siç konsiderohej, nuk kishte shkuar siç duhej. Për t’i ndjekur sesionet e intervistimeve të dëshmitarëve është shfaqur interesim i madh i publikur. Kjo po e inkurajon edhe kryetarin e këtij komisioni, Hajrulla Çekun.
Shtatëdhjeteshtatë deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan pro formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit, që e ka riaktualizuar procesin e transformimit të pronës së ish ndërmarrjeve shoqërore nga prona shoqërore në pronësi private. Që pas miratimit, 11 anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë janë duke u angazhuar që t’i hetojnë rrethanat e dyshimta nëpër të cilat toka e shtetit u shndërrua në tokë private të individëve të ndryshëm.
I kënaqur me nivelin e përmbushjes së planit të punës është shprehur kryetari i këtij komisioni, Hajrulla Çeku. Në një prononcim për Gazetën Express, ai ka thënë se është i kënaqur me nivelin e përmbushjes së planit të punës. Çeku se e inkurajon fakti që ka interesim të madh publik për t’i ndjekur sesionet e intervistimeve të dëshmitarëve në lidhje me privatizimet.
“Deri tani kemi ecur mirë dhe jam i kënaqur me nivelin e përmbushjes së planit të punës. Jemi në fillim të procesit të intervistimit të dëshmitarëve, të ftuar janë edhe shumë dëshmitarë, të cilët do t’i dëgjojmë javëve në vijim. Deri tani intervistimet kanë shkuar mirë. Më inkurajon në veçanti fakti që ka interesim të madh publik për t’i ndjekur sesionet e intervistimit, të cilat transmetohen Live”, ka thënë Çeku.
Komisioni tashmë ka grumbulluar dokumente e prova nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe institucionet tjera, ndërsa për të ndihmuar në hetim u angazhuan katër ekspertë të jashtëm.
“Ekspertët e jashtëm të Komisionit janë në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit të siguruar, ndërsa nga java e kaluar kemi nisur me intervistimin e dëshmitarëve. Është herët të flitet për të gjeturat pasi ende nuk kemi mbërritur në fazën e shqyrtimit të dëshmive”, tha Çeku.
Figura të rëndësishme të shtetit, në mesin e të cilëve edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, blenë tokë të shtetit me fare pak para. Por, procesi u konsiderua normal, derisa u bënë publike pagesat simbolike që ishin bërë për të përvetësuar një aset publik.
Rreth 17 persona të profileve të ndryshme u vënë në plan për t’u intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, në mesin e të cilëve ish-ministra përgjegjës për privatizimin, ish-kryesues dhe anëtarë të Bordeve të AKM-së dhe AKP-së, drejtorë dhe ish-drejtorë menaxhues, ish-zyrtarë të UNMIK-ut përgjegjës për privatizimin, pronarë të kompanive që kanë privatizuar ndërmarrjet shoqërore, ekspertë, gazetarë, ish-punëtorë dhe të tjerë që do të vlerësoheshin gjatë hetimit nga anëtarët e komisionit.
Në listën e parë të dëshmitarëve që u planifikuan të raportonin në këtë komision, ishin Ali Sadriu, Haki Shatri, Ahmet Shala, Besim Beqaj, Blerim Rexha, Bujar Dugolli, Petrit Gashi, Bajram Zejnullahu, Naser Osmani, Haxhi Arifi, Joachim Ruecker, Andrea Capussela, Shkelzen Lluka, Valon Tolaj, Ekrem Hajdari, Mrika Tahiri e Avni Jashari.
Nga zyrtarët e parë që u intervistuan nga komisioni janë ish-kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Prvatizimit, Blerim Rexha; ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu dhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.
Arsyeja më e fortë për formimin e këtij komisioni u bë deklarata e Blerim Rexhës, i cili teksa raportoi se gjatë kohës sa ka qenë kryesues i Bordit të AKP-së ka pasur presione të shumta, tregoi një rast kur 50 hektarë tokë e shtetit janë shitur për 5 mijë euro, që i bie 1 euro për ari tokë.
“Unë e kam përmend një rast kur ka qenë që janë privatizu 50 hektarë për 5 mijë euro. Me e përkthy këtë është që 50 hektarë bëjnë 5 mijë ari. Pra, 5 mijë ari tokë e Kosovës janë shitë për 5 mijë euro. Për këtë motiv kam votuar kundër. Po e citoj veten që kam thanë në atë mbledhje, ku kam thanë “Po më dhimbset toka e Kosovës me u shitë 1 euro ari””, kishte deklaruar Rexha para deputetëve.
Ai kishte folur për emërimin e tij në krye të AKP-së si anëtar i PDK-së më 21 shkurt 2013, për procesin e privatizimit të tokave të Kosovës dhe për aktin e dorëheqjes së tij nga ky post më 16 maj të po atij viti. Ai ka treguar se ka qenë e vështirë që ta pasonte Dino Asanajn një vit pasi ai kishte vdekur në rrethana tepër misterioze, duke mos e përjashtuar rrezikun se mund të vritej.
Rexha kishte treguar edhe për arsyen e dorëheqjes, ndërsa kishte kërkuar falje për mospërmbushjen e misionit të parashikuar atë kohë me rezolutën e Kuvendit për kryesuesin e Bordit të AKP-së.
“Nuk kam mundur me zhvillu detyrën. Kjo ka qenë arsyeja pse e kam liru detyrën. Për mos me shtu transparencë unë u kam kërku falje publike edhe deputetëve, kështu që gjithsesi kërkoj falje edhe tani për mospërmbushje komplet të misionit për rritje të transparencës edhe që fondin që në atë kohë t’i japë zhvillim ekonomik vendit”, ka deklaruar Rexha.
Katër ditë më vonë, në Kuvendin e Kosovës shkoi ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
Ai u shpreh i zhgënjyer me privatizimin në Kosovë, duke theksuar se procesi nuk i ka arritur objektivat dhe se sipas tij, kishin ardhur ekspertë ndërkombëtarë me simpati nga Beogradi dhe se ishin djegur një pjesë e dokumenteve në vitin 2008.
“I vërejtëm disa gjëra që në fillim punët nuk do të shkonin mirë. Ata kanë qenë njerëz me përvojë, në fund kanë ardhë prej Beogradit me një simpati të veçantë. Ne nuk e kemi pas lehtë por mendoj se e kemi kry detyrën tonë dhe sot unë jam ballëhapur”, tha ai.
Sadriu tha se ndërmarrjet të cilat janë privatizuar ka pritur që ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre, por ato sipas tij janë shitur për troje.
“Zhgënjimin ma të madh e kam përjetu kur shumicën e rasteve objektet janë blerë për t’u shitë si troje ose për duke u shitë pajisjet që kanë qenë brenda. Ne pak kemi privatizu. Kam pritë që së paku ato ndërmarrje do ta vazhdojnë veprimtarinë e vet. Dhe punësimi jo që do të largohen por të punësohen edhe më shumë. Rezultati i saj krijoi papunësi që normalisht rrejdhojë e saj është edhe niveli ekonomik në të cilin jemi sot”, ka thënë ai.
Sadriu ka përmendur Fabrikën e Mobiljeve në Ferizaj dhe Fabrikën e Vajit që është shndërruar në truall.
“Fabrika e mobiljeve në Ferizaj ka qenë kampion në Kosovë ka pas eksporte edhe në Amerikë. Për prodhimet e saj ka pas nevojë shumë në treg. Ajo është shitë dhe janë bërë troje. Fabrika e Vajit ka qenë fabrikë që tregun e Kosovës e ka mbulu dhe e ka mbulu edhe bujqësinë. Edhe sot ne vazhdojmë tash të importojmë. Unë jam shumë i zhgënjyer në këto procese”, tha ai.
Sadriu tregoi se në vitin 2008 një pjesë e dokumentacionit në AKM është djegur dhe sipas tij askush nuk e ka hetuar këtë rast.
Sadriu tha se i ishte përvjedhur një lëshim në atë kohë lidhur me privatizimin e një ndërmarrje ku kishin humbje prej 1 milion e 50 mijë eurosh.
“Ishte përvjedhë një lëshim atë kohë që nëse ofertuesi i parë heq dorë nga tenderi mund ta merr i dyti. Mendimi i ynë ishte që mund ta merr i dyti por jo me çmimin që e ka ofru por me çmimin e të parit. Tenderi ka qenë rreth 3 milionë. 1 milion e 50 mijë euro ndryshimi ishte ne nuk kemi pranu, janë mbajtur disa seanca në fund e kemi miratu që nuk u pranu oferta e ofertuesit. Ai më vonë ka shku në gjykatë dhe ka fitu”, tha ai.
Në po të njëjtën ditë, ish-kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP), Petrit Gashi kishte raportuar po ashtu para deputetëve anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë. Ai ka treguar se në disa mbledhje të kësaj agjencie ka qenë kundër shitjes së disa objekteve, ndërsa ka treguar se i ka marrë mbi 3 mijë euro për një mbledhje të bordit, që ishte llogaritur si gjashtë ditë pune.
“Ne jemi paguar për një gjashtë ditor të punës tonë, mbi 400 euro në ditë. Për një mbledhje Bordi mbi 3000 euro i kam marrë”, ka thënë Gashi.
Të martën, në komision erdhi ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Ai tha se ka qenë dhe është pro privatizimit, ndërsa nuk u përgjigj në shumë prej pyetjeve të anëtarë të komisionit, me arsyetimin se mund të ndikojë në procesin e drejtësisë, pasi për disa nga ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2 ka aktakuzë të ngritur për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë privatizimit të aseteve publike.
Që nga fillimi i procesit të privatizimit në Kosovë, janë privatizuar mijëra asete të ndërmarrjeve shoqërore, kurse vetëm gjatë vitit 2017 nga ky proces janë nënshkruar 220 kontrata të reja me një vlerë financiare prej 27 milionë eurosh.
Shumica e ndërmarrjeve të shituara në Kosovë janë privatizuar me metodën e quajtur spin-off i rregullt, kurse ndërmarrjet që janë konsideruar më të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special.
Në anën tjetër, përfaqësues të punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara kanë konsideruar se procesi i privatizimit në Kosovë ka shënuar regres në zhvillimin ekonomik të vendit.