Ministria e Diasporës i ka ndarë fotografit të mirënjohur shqiptar me bazë në SHBA, Fadil Berisha, çmimin “Mërgimtari i Vitit”.
Çmimi iu nda nga ministri i Diasporës, Dardan Gashi, dhe Konzullja e Përgjithshme e Kosovës në New York, Teuta Sahatçiu në ambientet e Konsullatës.
“Bashkatdhetarët tanë si Fadil Berisha janë duke i dhënë imazhin më të mirë kombit shqiptar nëpër vendet ku jetojnë dhe veprojnë. Me punën e tyre dhe sukseset e jashtëzakonshme të arritura janë bërë shembull i integrimit dhe promovimit të vlerave të kombit tonë”, tha Ministri Gashi.
Ndërsa Berisha, i emocionuar, tha: “Kam fituar shumë çmime – por ky është më i dashuri sepse është afër zemrës”.
Fadil Berishës retroaktivisht për kontributin e tij në promovimin e kulturës shqiptare në botë dhe sukseset në lëmin e fotografisë, më 2 gusht të vitit 2017 i është ndarë çmimi “Mërgimtari i Vitit”, çmim i përvitshëm që ndahet në bazë të Rregullores 2/2016 MeD për Ndarjen e Çmimit Mërgimtar i Vitit.
Ndërkaq, gjatë vizitës në SHBA, Gashi do të realizojë takime me komunitetin shqiptar në New York dhe Washington si dhe do të realizojë takime me Kongresistë, State Departamentin e SHBA-së dhe Odën Amerikanë të Ekonomisë – Drejtorinë për Evropë.