Në debatin për futbollistët që lanë përfaqësuesen e Shqipërisë për Kosovën, është inkuadruar edhe publicisti nga Kosova, Fadil Lepaja.
Ky është postimi i tij:
Bushati ia fut kot dhe argumenton lodhët
Futbollistët nga Kosova nuk janë tradhtarë pavarësisht vendimit të tyre. Nuk janë tradhtarë as kur luajnë për Zvicrën, apo Maqedoninë, e lëre më për Shqipërinë. As futbollistët nga Shqipëria nuk do të ishin tradhtarë nëse pranojnë ndonjë ofertë eventuale për të luajtur për Kosovën.
Në anën tjetër, kam përshtypjen se kjo deklarata kot, e Andi Bushatit është e dizajnuar me e habitë atë pjesë të shoqërisë civile dhe intelektualëve të pavarur të cilët mezi presin ndonjë luftë “patatesh” me Shqipërinë për me luajtë rolin e kujdestarëve të foshnjës së quajtur “komb” kosovarë i cili kurrsesi s’po gjen arsye të qajë. Arsyet e këtij diferencimi të dhunshëm identitar janë të paqena dhe sintetike.
Në anën tjetër, sikur të ishte e e sinkronizuar që të e kalojë në heshtje dorëheqjen e “shefit të shefave” pa e diskutuar këtë edhe nga këndi i përgjegjësisë së tij si ekzekutues dhe sidomos të shefit të tij të drejtpërdrejtë, ish-kryeministrit Thaci i cili duhet të shpjegojë publikut se si i ka rehatuar bashkëpartiakët dhe kundërshtarët e tjerë jashtë partisë.
Përndryshe, “nacionalistët” e pafat kosovarë, duhet ta marrin me relax këtë punën e përzgjedhjes së futbollistëve për përfaqësueset e Kosovës, Shqipërisë, apo pse jo edhe Maqedonisë. Në rastin kur luajnë kundër njëra-tjetrës, le të fitojë më i miri. Unë personalisht do të doja që të fitoj përfaqësuesja e Kosovës.
Nëse Andi Bushati me brekët kuq e bardh, të Cërvena Zvezdës, të cilën ka të drejtë të e simpatizojë, flet për patriotizëm dhe tradhti kombëtare neve na mbetet veç mos me e marrë seriozisht dhe me e kuptue dëshirën e tij për publicitet, qoftë edhe negativ.