Nënkryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura në rivarrimin e Sinan Dautit shprehu dhimbjen e tij për familjen, duke thënë se pritja 27 -vjeçare për trupin e 9 vjeçarit ishte plagë e hapur e familjes, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, Sinani ishte fëmijë me ëndrra të pafajshme dhe një jetë që sapo e kishte filluar.
“Në emër të komunës së Skenderajt, qëndroj sot para jush me dhimbje të thellë dhe me ndjenjë të rëndë përgjegjësie. Sot jemi këtu në Prekaz për të përmbyllur një pritje 27-vjeçare, një pritje që nuk ishte vetëm kohë, por një plagë e hapur çdo ditë për familjen Dauti dhe për ndërgjegjen tonë kolektive.
Sinani ishte vetëm nëntë vjeç. Një fëmijë me ëndrra të pafajshme, një jetë që sapo kishte filluar. Ai duhej të jetonte. Duhej të rritej. Duhej të gëzonte të drejtën më themelore, të drejtën për jetë. Por kjo iu mohua. I plagosur, në vend që të shpëtohej dhe të trajtohej, ai u zhduk. Dhe bashkë me të u tentua të zhdukej edhe e vërteta. Për vite me radhë u tentua të fshihej edhe krimi dhe të varrosej e vërteta bashkë me trupin e tij të njomë. Por e vërteta nuk varroset. Ajo pret dhe një ditë flet. Sot pas 27 vitesh Sinani rikthehet. Jo vetëm si kujtim, por edhe si dëshmi. Si dëshmi për krimin dhe të vërtetën. Si dëshmi që një e drejtë iu mohua krejtësisht, padrejtësisht. Dhe sot, para arkivolit të tij, ne duhet të bëjmë një pyetje të thjeshtë por edhe të rëndë: A kishte të drejtë të jetonte Sinani? Sepse kjo nuk është vetëm një histori e së kaluarës. Është një e vërtetë që na flet sot. Dhe kjo e vërtetë vihet në peshore në sallat e gjykimit sot në Hagë, por Sinani është përgjigja më e fuqishme e kësaj të vërtete. E dashur familje Dauti, të nderuar të gjithë ju të pranishëm, sot ne e kthejmë Sinanin në tokën e tij për të pushuar me dinjitet, por ai nuk kthehet në heshtje. Ai kthehet me zë, si kujtesë, si dëshmi e së vërtetës që nuk do të mbyllet më. Andaj le të përkulemi sot me dhimbje, por edhe me një zotim të përbashkët se do ta mbrojmë të vërtetën tonë gjithmonë dhe kudo, pa u lodhur dhe pa u zmbrapsur asnjëherë. Ngushëllime më të sinqerta familjes Dauti, dhimbja juaj sot është dhimbje e gjithë neve këtu. U prefsh në paqe Sinan, kujtimi yt do të jetojë gjithmonë ndër ne”, tha Nura.
Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha se gjetja e eshtrave në Suhodoll të Mitrovicës erdhi si rezultat i një pune intensive dhe përkushtimit maksimal në zbardhjen e rasteve.
“Sot, në këtë ditë të rëndë, jemi mbledhur këtu në Prekaz për t’i dhënë lamtumirën e fundit Sinanit, i cili pas një pritjeje prej 27 vitesh po kthehet për të pushuar në vendlindjen e tij. Rasti i Sinanit është një dëshmi e dhimbshme e krimeve të luftës dhe e vuajtjeve që kanë kaluar familjet tona. Identifikimi i mbetjeve të tij mortore në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë është rezultat i një pune intensive dhe i përkushtimit tonë për të mos lënë asnjë rast pa u ndriçuar. Ne si Komision Qeveritar për Persona të Zhdukur, së bashku me të gjithë partnerët tanë, mbetemi të zotuar se kërkimet do të vazhdojnë me të njëjtin intensitet. Është obligimi ynë njerëzor, moral dhe kombëtar që çdo familjeje t’i ofrojmë mundësinë për të pasur një vend ku mund t’i nderojnë më të dashurit e tyre. Dhimbja e familjes Dauti është dhimbje e të gjithë Kosovës, por sot, me gjetjen e Sinanit, mbyllet një kapitull i rëndë i pritjes 27-vjeçare. Kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i gjallë, si një thirrje për drejtësi dhe për të vërtetën që nuk mund të fshihet. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës Sinan Dautit”, tha Gara.
Në emër të familjes Dauti, Anton Dauti shprehu mirënjohjen për të gjithë që kanë kontribuar në gjetjen e trupit të Sinanit, të zhdukur tash e 27 vite.
“Në emër të familjes dhe në emrin tim personal, ju falënderoj të gjithëve së pari për punën që është bërë deri në arritjen e rezultatit që ne ta kemi trupin e Sinanit këtu prezent sot. Po ashtu, ju falënderoj të gjithëve që në këto ditë të vështira keni qëndruar pranë dhe keni ndarë dhimbjen bashkë me ne. Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit, të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës. Respekt”, tha Dauti.


