Ajo është duke rregulluar jastëkët e divanit, ndërkohë që ai kërkon telefonin për ta marrë t’i thotë, që mbledhja po zgjat më shumë seç pritej, por do bëjë maksimumin të lirohet sa më shpejt.
Diku në një bar, në qendër të qytetit, është një vajzë me pallto bojëqiell, që shtrëngon me padurim një filxhan kafe në dorë, ndërkohë që pret shoqen e ngushtë, e cila po nxiton mes trafikut e rrëmujës së qytetit për të arritur sa më shpejt.
Në një maternitet, një vajzë në pritje të të bërit nënë, pret përgjigjen e doktorit për t’i treguar se kur mund të mbajë fëmijën e saj në duar, ndërkohë që të gjitha datat e pritshme kanë kaluar.
****
Secili nga ne, në cepin tonë të botës jemi duke pritur diçka.
Dikush radhën në një dyqan, dikush pakon nga posta, dikush përgjigjen e vizës së shumëpritur, dikush disa analiza që ndjellin frikë vetëm në emër, e dikush dikë.
Ndonjëherë dikë që nuk është nisur, e ndonjëherë, kur je me fat, kur je njeriu më me fat në planet, dikë që është rrugës, edhe që po vjen sa më shpejt të mundet.
****
Në maternitetin e qytetit, dëgjohet për herë të njëzet e dytë në atë ditë, e qara e një fëmije. Është vajzë, peshon 3.8 kilogramë, është 48 cm e gjatë, e quajnë Kristal. Vajza, që tashmë mban titullin ‘mama’ e shtrëngon në kraharor, dhe për herë të parë e të fundit në jetë, gëzon për të qarën e Kristal, për mënyrën si e ulëret jetën, ai tingull. Teksa i shikon me vëmendje çdo milimetër të fytyrës së vockël, duket sikur Kristal i thotë:
“Më fal që u vonova!”
Vajza e bërë mama, me një shikim që i transmeton gjithë dashurinë që ka njohur bota i thotë butë në vesh:
“Ia vlejti pritja!”
Kalon me të shpejtë rrugën, e dallon që nga ana tjetër pallton bojëqielli dhe flokët e zeza që qëndrojnë mbi supet e tendosura të Erës. Era e ka telefonuar vetëm tridhjetë minuta më parë, e pasi e mbajti sa mundi në telefon, mori me nxitim rrugën për në vendtakim. Era nuk kërkonte ndihmë pothuaj kurrë, ndaj ajo po mundohej që të arrinte sa më shpejt, që të ishte sa më shpejt në ditën që Era kishte nevojë për të. Hapi me zhurmë derën e barit, la çantën në karrigen tjetër dhe përqafoi Erën. Supet e saj të tendosura u lëshuan komplet, mbështeti kokën në supin e mikeshës së ngushtë dhe lëshoi një psherëtimë. Ajo e pa Erën dhe pasi i lexoi gjithë dhimbjen në sy, i tha:
“Më fal që u vonova!”
Ndërsa rimblidhte forcat nga përqafimi shërues, Era me fuqinë e rikthyer për të buzëqeshur i tha:
“Ia vlejti pritja!”
Joni i bie borisë pa ndaluar. Makina përpara ka ndaluar keq, dhe nuk ka hapësirë të hyj në parkim. Gruaja po e pret me darkën shtruar. Kanë përvjetor për të festuar sot. Ai nuk e ka harruar as këtë vit. Ka marrë dhuratën dhe margeritat portokalli, lulen me ngjyrën e saj të preferuar. Por, një mbledhje e papritur në punë solli gjithë këtë rrëmujë. Më në fund i hapet rruga. I merr me vrull të gjitha dhe shtyp gjithë nervozizëm butonin e ashensorit dhe mezi pret të hapë derën e shtëpisë. Ajo është mbështetur në divan dhe po sheh një film e përqendruar. Jon hap derën me zhurmë, lë çelësat dhe çantën e tij në korridor e drejtohet për në kuzhinë, me lulet dhe dhuratën në dorë. Ajo buzëqesh sapo e shikon. I afrohet me krahët hapur, dhe merr lulet e dhuratën për ti lënë mbi tavolinë. Ai e shtrëngon në kraharor, e puth në ballë dhe i thotë:
“Më fal që u vonova!”
Shoqja e tij e jetës tashmë duke adhuruar lulet e saj, ngriti sytë duke buzëqeshur dhe me zemrën që tashmë ja kishte marrë Joni, arriti vetëm të thoshte:
“Ia vlejti pritja!”
****
Do jemi gjithmonë duke pritur diçka ose dikë. Ndonjëherë do të takojmë dikë, ose do hyjmë ne jetën e dikujt dhe do kuptojmë që kemi ecur gjithë jetën për këtë moment, që në këtë jetë përkasim, që ky dikush na përket. Do kuptojmë që kemi qenë gjithë jetën duke e kërkuar, ose ka qenë duke na kërkuar. Do e kuptojmë në shikim, do e ndjejmë në përqafim, do e lexojmë në fjalitë që i mbarojmë njëri-tjetrit.
Ky dikush mund të jetë dashuria e jetës, shoku a shoqja që të kupton që në shkrimin e mesazhit, ose shpirti binjak që ka udhëtuar gjatë për këtu.
Nuk ka rëndësi kush është, por do e njohësh se do nxitojë për tek ty në kaosin e një qyteti që nuk pushon, do e kuptosh se në një formë ose në një tjetër do të të thotë:
“Më fal që u vonova, erdha sa më shpejt që munda. Ama, kam ardhur për të ndenjur.”
…dhe do të jetë aty, dhe do të rrijë!
(Autorja është psikologe klinike, diplomuar në Francë dhe psikologe këshillimi, diplomuar në Universitetin e Tiranës)