Policia e Kosovës njofton se janë raportuar dy raste të falsifikimit të parasë.
Sipas raportit 24-orësh, rastet kanë ndodhur në Ferizaj dhe në fshatin Preoc të Komunës së Graçanicës.
“Ankuesja zyrtare e një banke private ka njoftuar policinë se nga klientë të ndryshëm janë deponuar në bankë 216 monedha nga 2 euro dhe 3 monedha nga 1 euro, që dyshohen të jenë të falsifikuara. Monedhat e dyshuara janë sekuestruar nga njësia e hetuesisë. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti në hetime”, thuhet në raportin e policisë.
Po ashtu, aty theksohet se një zyrtare e një banke ka raportuar se një person kishte deponuar nja kartëmonedhë në vlerë prej 100 euro.
“Ankuesja femër kosovare zyrtare e bankës me datën 19.07.2023 ka raportuar se një person në bankë kishte deponuar një kartëmonedhë në vlerë 100 euro e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Njësiti policor si dëshmi për procedura hetimore ka sekuestruar monedhën e dyshuar, rasti vazhdon të hetohet”, përfundon raporti.
Shumë qytetarë dhe biznese janë duke u ankuar se në treg janë duke qarkulluar sasi e madhe e parave të falsifikuara.