Ka vite që familjarë të të vrarëve e masakruarve në luftën e fundit, në lagjen “Sofalia” në kryeqytet, dhurojnë gjak.
Pikërisht në vendin ku çdo 28 mars, dhurojnë gjak në kujtim e nderim të familjarëve të tyre, ata po kërkojnë t’u jepet leje të ndërtojnë edhe një pllakë përkujtimore, raporton KTV.
Pos viktimave të luftës së fundit, në pllakën që planifikohet të mos jetë më e madhe se 2 metra, ata duan të përfshijnë edhe viktimat e vitit 1944.
Redenica thotë ka gjashtë muaj që po presin përgjigje nga i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, në kërkesën e tyre që t’u lejohet ndërtimi i pllakës.
Në Komunën e Prishtinës thonë se edhe kjo kërkesë do të shqyrtohet.
“Ka shumë kërkesa për pllaka të ngjashme. Të gjitha është duke i shqyrtuar Drejtoria për Planifikim dhe për secilën do të ketë përgjigje”, ka thënë Adonis Tahiri, zëdhënës në Komunën e Prishtinës.
Por, banorët duan që të kenë leje para marsit, në mënyrë që përvjetori i radhës i vrasjes së familjarëve të tyre t’i gjejë me pllakë përkujtimore.