Derisa aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, po fliste në tryezën me temën “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i personave të pa gjetur?”, organizuar nga Kuvendi i Kosovës, familjarë dhe përfaqësues të shoqatave të të pagjeturve janë larguar nga salla, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Këshillit Koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës në Kosovë, Ahmet Graiçevci, në një prononcim për Ekonomia Online jashtë sallës, tha se prezenca e Natasha Kandiqit është e panevojshme, duke theksuar se Kosova i ka institucionet e veta.
“Familjarët si gjithherë janë të irrituar kur Natasha Kandiqi vjen në Kosovë, për shkak se ne kemi institucionet tona, kemi Këshillin dhe liritë e të drejtat e njeriut tona të Kosovës. Ne pse kemi nevojë të vijë Natasha Kandiqi dhe neve të na mbajë ligjëratë, kur ne i dimë më mirë. Ato çka i din ajo nuk i tregon këtu, nuk ta qetë sekretin e shtetit vetë, nuk t’i tregon asnjë vend të varrezave masive në Serbi apo në territore tjera”.
“Ne kemi pritur që do të kemi takim me institucione. E pamë që nuk ishin gjysma si gjithherë. Kësi farë lapsusesh bën Qeveritë e Kosovës”, tha Graiçevci.
“Asnjë qeveri deri sot nuk e ka bërë punën sa duhet e çka është kërkuar. Falë Zotit e kemi pasur një Komision për persona të zhdukur që e ka dhënë kontributin e vet dhe ka punuar aq sa ka mundur dhe aq sa e kanë lejuar kushtet për punë. A sa i përket qeverive, asnjë qeveri nuk e ka dhënë kontributin e vet në këtë drejtim, qoftë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, për krimet e luftës, dëmet e luftës… Nuk kanë punuar”, tha ai.
LEXO EDHE: