Këshilli Organizativ për shënimin e 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, në një konferencë për media, ka treguar për aktivitetet që do të organizohen në këtë ditë.
Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Jahja Lluka, i cili është edhe mbajtës i dosjes së personave të pagjetur, bëri të ditur se sivjet kjo ditë do të shënohet më ndryshe se herave të kaluara.
Të enjten e 30 gushtit, me fillim nga ora 16:30, familjarët do të marshojnë përgjatë shesheve të kryeqytetit deri tek obelisku për personat e pagjetur, i cili gjendet para objektit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Sipas Llukës, në sheshin “Nënë Tereza” familjarët do të vendosin këpucë të më të dashurve të tyre, për fatin e të cilëve nuk dihet ende.
Kurse para Teatrit Kombëtar do të vendoset një sofër me 1 mijë e 600 lugë, si simbolikë për numrin e të pagjeturve.
“Do të tubohemi me familjarët në sheshin Zahir Pajaziti dhe do të vazhdojmë drejt obeliskut të të pagjeturve te Parlamenti. Gjatë rrugës, në sheshin ‘Nëna Terezë’, i cili do të jetë i mbuluar sofër me shenja të këmbëve të të zhdukurve. Para teatrit kemi planifikuar të jetë një sofër e zbrazët me pritje në ankth me 1 mijë e 600 lugë”.
Lluka tha se Komisioni qeveritar është duke bërë punë të rëndësishme, por shtoi se asnjëherë s’mund të jenë të kënaqur, sepse numri i të kërkuarve është i madh dhe familjarët kanë të drejtë të kritikojnë, raporton EO.
“Jemi duke punuar në shumë aspekte, shpresoj që pas një muaji do ta kemi rezultatin e radarit që ka punuar në Serbi dhe Kosovë. Dhimbja dhe ankthi është shumë i madh, i cili duhet të zgjidhet. Krimi nuk plaket, ka me ardhë një ditë kur familjarët do ta kenë të drejtën që kriminelët ta marrin dënimin e merituar. Krimi ka qenë gjenocid i hapur”.
Lluka ka folur edhe për radarin që ka punuar në Serbi dhe Kosovë si përpjekje për t’i zbuluar varrezat masive. Ai tha se gjatë kohës kur radari ka funksionuar në Kosovë, një televizion i Graçanicës ka xhiruar fshehurazi dhe duke raportuar se po bëhet presion ndaj serbëve. Por, Lluka ka mohuar një gjë të tillë.
“Kemi pasur peripeci në Serbi, do të vazhdojmë kërkesat për Prokurorinë serbe. Këto ditë sa ishte radari në Kosovë në 7 vendgërmime një televizion i Graçanicës ka bërë incizime të fshehta dhe ka transmetuar se është duke u bërë presion ndaj serbëve, por kjo nuk qëndron”.
Nysrete Kumonva, kryetarja e shoqatës “Thirrjet e nënave” nga Gjakova, që është anëtare e Komisionit qeveritar për të zhdukurit, ka kërkuar presion më të madh ndërkombëtar ndaj Serbisë.
“Është një datë që shënohet në tërë botën. Kryeministri është gjithnjë zë i fuqishëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Në komision kemi bërë bajagi punë, 19 herë kemi qenë në Merdare, janë kthyer 950 trupa nga Serbia”.
Ajo tha se në të kaluarën është larguar nga pozita e kryetares së komisionit për të pagjeturit për shkak se, siç u shpreh, dikujt nuk i ka konvenuar që të ngrisë këtë çështje, raporton EO.
Kumnova ka deklaruar se është duke u tentuar që Serbisë t’i falen krimet dhe numrin i madh të të pagjeturve, duke përmendur takimet e presidentit Hashim Thaçi me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
“Kryeministrin e morën në Hagë dhe më pas mua më larguan, sepse dikujt nuk i konvenonte të ngriste zërin. Presioni ndërkombetar mungon. Edhe presidenti i bën takimet dhe gati që është ka do me u barazu krimi, me u falë tërë këta njerëz. Po qysh du me jetu unë si nënë pa asnjë asht të djalit tim. Po e dojmë nga një asht që të shkojmë te varri i tyre, t’ua çojmë nga një lule, qysh me i lënë ata në Serbi. Do ta shënojmë këtë ditë për hir të atyre që na mungojë, apeloj institucionet vendore dhe ndërkombëtare që ta kenë prioritet zbardhjen e fatit të të pagjeturve”.
Përfaqësuesi i familjes së personave të pagjetur, Bajram Çerkini, ka thënë se ndërkombëtarët ia kanë atyre borxh që ta japin mbështetjen e tyre për t’i gjetur personat e zhdukur në luftën e fundit me Serbinë, raporton EO.
“Ne e dimë çka na ka gjetur, as s’kemi Bajram, as kurrfarë feste derisa t’i gjejmë. Krejt bota me 30 gusht mendon se një ditë do t’i gjejnë ata që nuk i kanë. Edhe 1 mijë e 648 vetë janë të pagjetur. Ndërkombëtarët na kanë borxh me shty procesin”.
Edhe Lutfie Ademi, motra e doktorit të zhdukur Adem Ademi, ka kërkuar që të bëhet presion më i madh mbi Serbinë për t’i kthyer trupat e familjarëve të tyre.
“Vëllai im është i zhdukur, është në grupin e intelektualeve të Mitrovicës. Ndërkombëtarët të bëjnë presion mbi Serbinë që të na i kthejnë ata që na kanë marrë”.
Kryetar i Këshillit të familjarëve të personave të zhdukur, Ahmet Grajcevci, është shprehur se duhet të dinë edhe mënyrën se si janë zhdukur personat e gjallë në Serbi.
“Ne duhet të dimë mënyrën e zhdukjes së të gjallëve tanë në Serbi. Besoj që kemi përkrahjen në nivelin më të lartë, por prapë duhet të bëhet presion më i madh nga ndërkombëtarët mbi Serbinë, sepse problemi është në Beograd”.