Një fantazmë po sillet vërdallë nëpër Kosovë. Fantazma e ikjes. E dëshirës se shtresës më vitale të shoqërisë sonë për t’u arratisur sa më shpejt nga Kosova në këmbim të një jete më të mirë për vete dhe për familjarët e tyre. Ky trend thuajse ka marrë përmasat e eksodit kombëtar.
Vetëm për dy muaj rreth 100 mijë të rijnë dhe te reja kanë trokitur në dyert e ambasadave të huaja në Prishtinë me shpresën për të siguruar një vizë pune për t’u arratisur sa më shpejt që të jetë e mundur.
Hipotetikisht sikur e gjithë kjo valë masive me shpresa të shuara të pajisej me viza pune, atëherë një qytet si Gjakova me gjithë fshatrat e saj, apo një qytet komplet si Prizreni do të shkretohej brenda pak dite. Pra njëra nga këto zona urbane do të shndërrohej në djerrinë trishtuese dhe duke lënë pas vetëm gërmadhat e një qyteti fantazmë në të cilin dikur kishte gjallëruar jeta njerëzore.
Këto fakte tregojnë më mirë se asgjë tjetër për gjendjen reale që dominon aktualisht në Kosovë. Për shpërputhjen ndërmjet propagandës politike për zhvillim ekonomik dhe mjerimit real, për përpjekjen e kotë të pushtetit për pudrosje të realitetit dhe mungesën e entuziazmit shoqëror se këtu mund të ndodh diçka e mirë, pavarësisht ndryshimeve koniunkturale politike, për depresionin psikologjik dhe ndjenjën e pamundësisë.
Fatkeqësisht kjo tkurrje dhe zbrazje e trupit tonë demografik po ndodhë në heshtje të plotë. Pa u adresuar si duhet nga askush. Dhe pa u diskutuar seriozisht po ashtu nga askush. Politika zyrtare po sillet ndaj kësaj hemorragjie kombëtare sikur ata që po e braktisin vendin të ishin një kolone e pestë dhe jo pjesa më e gjallë e saj.
Dikur Kryeministri aktual e kishte një “shpjegim” edhe për këtë plagomë shoqërore. Si opozitar ai deklaronte se qytetarët e Kosovës s’kanë si mos ta braktisin këtë vend derisa nga këtu detyrohet të shkoi Elezi e në vend të tij të jetë Lumezi. Sepse sipas tij, Kosova po shndërrohet në një oazë të krimit, vendi nga ku po largohen njerëzit e ndershëm dhe po qëndrojnë kriminelet. Po sot? Asnjë fjalë. Heshtje mortore. Përpjekje për amnezi ndaj kauzave te dikurshme. Kuptohet edhe në këtë rast kohë pas kohe nuk mungojnë përpëlitjet për ta interpretuar këtë zezonë me formulën standarde tashmë të njohur për gabimet, keqqeverisjen dhe shkatërrimin që i bënë Kosovës qeverisjet e kaluara mbi 20 vjeçare. Pamundësinë e tij që me një shkop magjik t’i kurojë të gjitha anomalitë e trashëguara.
Mirëpo, me këtë justifikim nëse ai mund të paralizojë opozitën, ta blejë heshtjen e saj, ta bëjë atë të struket nga kompleksi i fajit për shkak të keqpërdorimeve që individë të saj kanë mundur të bëjnë sa kanë qenë në pushtet, ta shantazhojë atë publikisht, megjithatë ai s’mund të fshihet nga vetvetja. Sepse njerëzit nuk ikin vetëm për shkak të së kaluarës. Por edhe nga mungesa e shpresës për të ardhmen. Dhe është pikërisht ky dimension që mbetet më fatali për qeverinë aktuale. Sepse pjesa më e madhe e kësaj shoqërie pra kryesisht ata që e kanë jetën para tyre, tashmë janë të bindur se as kjo qeveri nuk mund t’i prodhojë ndryshimet e domosdoshme shoqërore dhe ekonomike.
Ndaj këtij eksodi i qulltë po ashtu mbetet edhe reagimi i opozitës. Ai nuk është as për së afërmi se si duhet që një opozitë ta anticipojë diskutimin për tema të tilla. Mbase shkaku mund të jetë nga frika e tyre. Sepse çdo adresim që mund ta ngrisin për këtë temë ka gjasa që t’ua diskreditojnë protagonistët e pushtetit aktual duke ua përmendur vilat, pasurinë përrallore dhe jetën krono-kapitaliste, që kuptohet atë e kanë arritur falë pushtetit të dikurshëm dhe jo ndonjë aftësie tjetër. Prandaj, anashkalimi me çdo kusht i këtij ballafaqimi si duket po ndikon që edhe ata ta zgjedhin pajtimin në vend të reagimit. Formën në vend të përmbajtjes. Angazhimin për ruajtje të imazhit personal në vend të atij shoqëror dhe politik. Mbase dhurata më e mirë që mund t’i ofrohet qeverisë aktuale në këto rrethana. Sepse pasi ka dështuar që t’i mbajë premtimet e bëra ndër vite, ajo sot ka nevojë më shumë se për asgjë tjetër për këtë harresë. Dhe këtë satisfaksion e ka gjetur.
Kjo ngarendje e të dy palëve për t’u larguar nga e kaluara e tyre pa u konfrontuar publikisht me të, e opozitës nga mënyra e qeverisjes dhe e pushtetet nga premtimet e tij, e ka formësuar thelbin e këtij konsensusi cinik të jetës parlamentare në lidhje me këtë temë. Dhe tregon se shoqëria kosovare ka mbetur e papërfaqësuar politikisht. Se ajo ndodhet e braktisur nga të gjitha partitë parlamentare. Si dhe mungon çdo lloj solidariteti politik me të. Prandaj, pjesa më produktive e saj në vend të identifikimit fals me të ka zgjedhur largimin. E ky trend fatkeqësisht do të vazhdojë për aq kohë sa dominon kjo dashuri e heshtur “romantiko-politike” ndërmjet partive politike jo për ta mbrojtur shoqërinë, por vetveten.