Në gjykimin e Fatmir Limajt për krime lufte, avokati i tij tregoi se zëvendëskryeministri do të mbrohet në heshtje.
Avokati Tahir Rrecaj tregoi në gjykatë se Fatmir Limaj do të mbrohet në heshtje.
“Unë jam konsultuar mjaftueshëm më të mbrojturin tim dhe jemi dakorduar të dy që të mos deklarohemi në këtë fazë të procedurës”, tha avokati i Fatmir Limajt.
Rrecaj tha se Limaj i ka dhënë dy deklarata më herët për çështjen për të cilën akuzohet.
“I mbrojturi im ka dhënë dy deklarata në prokurori, deklaratat janë dhënë konform dispozitave ligjore dhe ne mbetemi pranë atyre deklarimeve”, tha Rrecaj.
Fjala përfundimtare në këtë gjykim u caktua më 6 mars.
Në seancën e sotme të gjykimit të Fatmir Limajt dëshmuan Jakup Krasniqi e Ragip Begaj.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.
Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, më 2 tetor 1998. /Kallxo.com/