Fatmir Sopi dëshmon në Speciale për Brigadën 153 dhe njësitin BIA

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Fatmir Sopi, ish-anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në sesionin e parë të gjykimit të së martës në rastin e Salih Mustafës që po akuzohet për krime lufte, ka dëshmuar rreth Brigadës 153 dhe njësitit BIA.

Duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Cezary Mihailzcuk, Fatmir Sopi ka bërë të ditur se është kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), dega në Prishtinë dhe anëtar i kësaj organizate në nivel të Kosovës.

“Kam një mandat domethënë, qe katër vite, e pesta është tash”, tha Sopi.

Ai ka thënë se gjatë luftës çlirimtare ka qenë anëtar i UÇK, që i është bashkuar në fillimet e saj të para, konkretisht në vitin 1998.

Kurse, tha se ka pasur rol në themelimin e UÇK-së.

“Unë kam kryer detyrën e organizatorit dhe shtirjes organizative të UÇK-së, në regjionin e Prishtinës, më konkretisht në regjionin e Gollakut”, tha Sopi, i cili shtoi se që në fillim e ka luajtur këtë rol.

Sopi ka konfirmuar kishte edhe njësi tjera të UÇK-së, të cilat qëndronin në regjionin e Gollakut, ndërkaq prokurori kërkoi të dinte nëse kishte ndonjë brigadë të krijuar në Gollak.

“Nuk di si mund ta quaj por organizimet e para të UÇK për regjionin e Karadakut kanë filluar në Gollak, si stacionim e kanë pasur Gollakun”, tha Sopi.

Tutje, ai deklaroi se Brigada 153 është formuar pas përfundimit të organizimit dhe përgatitjeve të duhura për plotësimin e nevojave dhe radhëve të UÇK-së, që ta përfaqësonin brigadën.

Lidhur me këtë brigadë, prokurori e ka pyetur se kur është krijuar kjo brigadë, kurse Sopi bëri të ditur se fillet organizative të saj i ka nga njësitet e formuara pothuajse në të gjitha fshatrat e Gollakut.

“Dhe me plotësimin e kushteve, radhëve me ushtarët e nevojshme dhe kur zona operative e Llapit e ka pa të arsyeshme se janë plotësuar kushtet për zyrtarizimin e kësaj brigade dhe themelimin e saj, është caktuar data nuk më kujtohet, në shkurt të vitit 1999”, ka thënë Sopi.

Sopi ka thënë se në shtëpinë e tij, në shkurt të vitit 1999, në vendin ku shërbente si shtab i UÇK-së për brigadën 153 ka ardhur përfaqësuesi i zonës operative të Llapit, zëvendës komandanti i zonës Kadri Kastrati që ka bërë inaugurimin solemn të Brigadës 153.

“Kadri Kastrati ka qenë përfaqësues i zonës, sigurisht ka qenë i urdhëruar nga komandanti i zonës, Rrustem Mustafa”, ka thënë Sopi.

Gjatë kohës së inaugurimit, në shtëpinë e tij, ai bëri të ditur se nuk i kujtohen të gjithë personat prezent, por se i kujtohet ka qenë Rrahman Dini, edhe Sejdi Veseli, e ai personalisht. Për të tjerë, tha se nuk e di kush ka qenë tjetër.

“Komandanti i brigadës atë ditë nuk është emëruar”, ka thënë Sopi, e se Kadri Kastrati nuk ka deklaruar kush do të ishte komandant i brigadës, por se ka mbetur vend vakant, ndërkaq zëvendës komandant i brigadës është emëruar Sejdi Veseli.

Tutje, ai tha se meqenëse merrej me organizimin e UÇK në terren dhe ishte vazhdimisht në terren në fshatra të Gollakut, u caktua të jetë përgjegjës komandant i mbrojtjes civile. Kurse, shtoi se pozitat e tyre kanë ndryshuar, e se ka filluar si ushtar i thjeshtë, e më pas ka pasur pozitë edhe të zëvendës komandantit dhe komandantit të brigadës.

Në pozitën e zëvendëskomandantit tha se është emëruar nga komandanti Rrustem Mustafa, pas ofensivës së 18 prillit 1999. Ndërkaq, pozitën si komandant brigade e ka mbajtur kur ka përfunduar lufta dhe ka filluar demobilizimi i UÇK-së.

Për Adem Shehun, ai bëri të ditur se vinte nga Tirana, kishte eksperiencë ushtarake në ushtrinë e Shqipërisë dhe si i tillë është emëruar nga komanda e zonës operative të Llapit komandant i Brigadës 153. Datën e saktë kur e mori këtë pozitë Shehu, ai tha se nuk e di, por se ka ndodhur në fund të marsit të vitit 1999.

Lidhur me Rrahman Dinin, prokurori ka pyetur Sopin, se a është caktuar ai në takimin e shkurtit 1999, e dëshmitari Sopi tha se mendon se disa nga emërimet kanë ndodhur atë ditë, por mund të ketë ndodhur që disa nga emërimet kanë ndodhur edhe më vonë e se nuk e mban mend.

Kurse, shtoi se në fillim Rrahman Dini ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore kur kanë punuar bashkë në organizimin e UÇK-së në shumicën e fshatrave të Gollakut, por se ndërkohë gjendja e tij shëndetësore është keqësuar dhe nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore në mes dhe përfundim të luftës.

“Ai ka pas ankesa nga pak sa dikur nuk ka mundur as të veproj. Ka pas probleme me frymëmarrje, nuk ka mundur të qarkullojë, me ec. Sidomos me frymëmarrje, ne dyshonim që edhe prej zemrës, ka pas telashe shëndetësore, për të cilat janë kujdes mjekët që i kemi pas”, tha Sopi.

Ai tha se të burgosurit politikë, ku edhe ai e Dini kanë qenë të tillë, janë keqtrajtuar në forma çnjerëzore që është problem të përshkruhen.

Me leje të gjykatës, prokurori i ka treguar një pjesë të deklaratës së dëshmitarit Sopi që i kishte dhënë ZPS-së, ku kishte thënë se Rrahman Dini ishte anëtar i shtabit, por nuk kishte detyrë specifike, konkrete pasi ishte i sëmurë në atë kohë.

Prokurori e ka pyetur nëse mund të konfirmojë këtë deklarim dhe nëse është i saktë.

“Nuk ka pas detyrë specifike operative, ndërsa me njerëz është takuar dhe ka kryer atë punën për moral e politikë, në zyrat e shtabit, ai ka qëndruar edhe kur ka qenë i sëmurë”, tha Sopi.

Më pas, ai bëri të ditur se shtabi i brigadës 153 ishte i vendosur në shtëpinë e tij në Zllash, ku tha se nuk i kujtohet saktë me datë prej kur deri kur kanë qëndruar aty.

Por, tha se pas themelimit të brigadës në shkurt 1999, kanë mundur në mars të kalojnë në shtëpinë e xhaxhait të tij që është 500 metra apo 1 km larg shtëpisë së tij.

“Në kushte lufte dhe sulmeve të vazhdueshme serbe është jologjike që shtabi i brigadës të qëndroj në një vend dhe të jetë pikë e sulmeve të policisë dhe ushtrisë serbe, prandaj shtabi ka lëviz prej shtëpisë time në shtëpinë e axhës tim në kohë, për disa muaj ndoshta dy muaj, pastaj në shtëpinë e disa komshive në një tjetër. Ndërsa, pas ofensivës serbe të 18 prill, ku pjesa dërrmuese e shtëpive janë djegur, shtabi i brigadës 153 është zhvendosur në shtëpinë e Shaban Gashit që ndodhej në perëndim të fshatit Zllash”, ka thënë Sopi.

Ai konfirmoi se në vitin 1999 ka pasur një shkollë në Zllash e se shtëpia e xhaxhait të tij nuk është larg kësaj shkolle, por jo te shkolle.

“Ndërtesa e shkollës ka shërbyer si qendër stërvitore, por shtabi i brigadës ka pas komandantin e qendrës stërvitore, e shumë kush e ka identifikuar se ka funksionuar si shtab, por ka qenë zyre e përgjegjësve të stërvitjes dhe kuzhina për ushtarët që kanë qenë në stërvitje. Ndërsa, në kuptimin me qenë i stacionuar shtabi për kohë të gjatë në shkollë, nuk ka qenë i stacionuar, përkohësisht ne kemi qarkulluar andej”, tha Sopi.

Ndërkaq, shtoi se brigada 153 mbulonte pothuajse të gjitha fshatrat e malësisë së Gollakut, që përfshin fshatrat; Rimanishtë, Sharban, Koliq, Nishefc, Prapashticë, Koliq, Grashticë, Dabishefc, Mramur, Marevc.

Prokurori e ka pyetur se a është në dijeni të njësisë së UÇK-së që quhet BIA dhe a e di nëse ka pas ndonjë emër tjetër kjo njësi përveç emrit BIA.

“BIA ose skifterat”, tha Sopi, kurse tha se BIA është akronim në nderim të heronjve Bahri Fazliu, Ilir Konushefci dhe Agron Rrahmani.

Ai konfirmoi se kjo njësi kishte një vendqëndrim në Zllash, në lartësinë më të madhe në Zllash, në verilindje të fshatit. Kurse, tha se distanca nga shtëpia e tij dhe vendqëndrimi i BIA-së në Zllash mund ishte diku 3 km.

Nga prokurori i është kërkuar të shpjegoj vendqëndrimin e njësisë BIA dhe si dukej kjo godinë ku qëndronin BIA.

Të ngjashme