Fatmir Xhafaj në prag të dorëheqjes si ministër

Prishtinë | 14 Maj 2018 | 14:56 | Nga

Fatmir Xhafaj pritet të japë dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm.

Burime të Lapsi.al thanë se Xhafaj tashmë e ka vendosur, se do të dorëhiqet nga posti i ministrit, pasi ka dëgjuar përgjimin audio që u publikua nga selia e PD-së.

Ministri i Brendshëm nuk mban përgjegjësi penale për situatën konkrete, ku u përgjua i vëllai, Agroni, por përgjegjësitë në këtë rast janë morale dhe politike.

Lapsi.al mësoi se Xhafaj po mendon momentin kur duhet ta bëjë publike dorëheqjen e tij, që gjithsesi pritet të bëhet së shpejti.

Nuk dihet nëse Xhafaj do të presë përfundimin e vizitës së Edi Ramës në Francë, ku kryeministri shqiptar takon presidentin Makron. Dorëheqja e Xhafajt mund të shtyhet për pak ditë, pikërisht për të mos ekslipsuar vizitën e Ramës dhe takimin e tij me presidentin francez.

Xhafaj i mohoi akuzat e PD-së se mosekstradimi i të vëllait ishte pasojë e pozicionit të tij si Kryetar i Komisionit për Reformën në Drejtësi apo si Ministër i Brendshëm. Edhe pas daljes së vendimit të gjykatës italianë se Agron Xhafaj ishte dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik heroine, sërish Fatmir Xhafaj tha se dënimi nuk kishte asnjë lidhje me postet e tij shtetërore.

Me daljen e video-përgjimit, ku Agron Xhafaj përmend të vëllain, duket se përgjegjësia e tij morale rëndohet dhe qëndrimi i tij në detyrë, bëhet i pamundur. Përgjegjësitë morale për të vëllain e Xhafajt i konfirmoi edhe Partia Socialiste. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Taulant Balla përmendi mes rreshtave qëndrimin e PS se implikimi i ministrit në këtë aferë është moral, ndërsa i vëllait të tij, është penal.

 

Të ngjashme