Faton Peci inspekton nisjen e vaksinimit nga ajri kundër tërbimit të kafshëve të egra, do të shpërndahen 250 mijë doza

Prishtinë | 16 Maj 2023 | 15:14 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka nisur faza e dytë e projektit të vaksinimit nga ajri i kafshëve të egra kundër sëmundjes së tërbimit.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili “inspektoi” nisjen e mini-aeroplanit të parë nga Sllatina, bëri të ditur se rreth 250 mijë doza karrem nga ajri janë paraparë të shpërndahen, aksion i cili do të zgjasë rreth gjashtë ditë, varësisht nga kushtet klimatike, raporton Ekonomia Online.

Peci tha se vaksinat janë të sigurta dhe nuk paraqesin rrezik për shëndet të njerëzve apo kafshëve, bazuar në përshkrim të prodhuesit të vaksinës.

Përmes këtij aktiviteti që kryhet nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), dhe financohet nga BE-ja, Kosova bashkohet në qëllimin për përkujdesjen ndaj shëndetit të kafshëve dhe parandalimin e shpërndarjes së sëmundjeve të rrezikshme, siç është tërbimi.

“Jemi këtu në aeroportin ‘Adem Jashari’ për të parë nga afër aktivitetin e ndërmarrë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), falë përkrahjes financiare të Komisionit Evropian, një aktivitet që është duke u realizuar dy herë në vit dhe që ka për synim shpërndarjen e vaksinave për kafshët e egra, dhe ka për qëllim përkujdesjen e shëndetit të kafshëve, njëkohësisht edhe parandalimin e shpërndarjes së sëmundjeve qoftë te kafshët e egra, por edhe tek kafshët shtëpiake”, u shpreh Peci.

Ai tregoi se janë planifikuar të gjitha koordinatat për zonat mbi të cilat do të shpërndahen vaksinat. Do të përfshihen malet e brezit kufitar dhe ato brenda territorit. Kafshët e egra, kryesisht dhelprat konsiderohen si bartës kryesor sëmundjes se tërbimit, e cila pastaj përmes kontaktit mund të transmetohet edhe të qentë dhe njeriu – dhe mund të ketë pasoja fatale.

“Është paraparë që të zgjasë 5-6 ditë aktiviteti. Për 48 orë janë mbi 50 mijë vaksina që janë shpërndarë dhe shpërndahen në shumicën e territorit të Kosovës, kryesisht në vendet malore, kodrinore-malore, por edhe të kullosave dhe nuk përfshihen zonat ku ka lumenj apo liqene”, tha kreu i MBZHR-së.

“Si total objektivi është ndarja e 250 mijë vaksinave. Vlen të ceket se modeli që është përzgjedhur është një prej formave më të avancuara në aspektin e rezistencës për një interval sa më të gjatë, në mënyrë që kafshët e marrin këtë përmes ushqimit, ta kenë afatin e skadencës dhe efikasitetin sa më të madh”, deklaroi Peci.

Bashkimi Evropian si financues i këtij projekti të iniciativës rajonale të kontrollit të sëmundjes se tërbimit në tërë Ballkanin Perëndimor e ka ndihmuar Kosovën në uljen e rrezikut nga kjo sëmundje infektive që bartet nga kafshët tek njeriu. Peci tha se falë efektit qe kanë dhënë projektet në vazhdimësi të vaksinimit nga ajri, Kosova nuk ka shënuar asnjë rast me këtë sëmundje të rrezikshme, tani e një kohë të gjatë.

Sipas MBPBZhR-së dhe ekspertëve të AUV-it, vaksinat janë të sigurta dhe nuk paraqesin rrezik për shëndet të njerëzve apo kafshëve. Nëse hasen në vendbanime, rekomandohet që ato të largohen, duke përdorur dorëza. Nëse ndodh që të keni kontakt direkt me ndonjë vaksinë të hapur apo dëmtuar duhet që ta vizitoni qendrën më të afërt shëndetësore. Forma e vaksinës është tabletë me dimensione pak me të mëdha se ato që përdoren tek njerëzit.

Të ngjashme