Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është mbajtur një panair ku gratë fermere dhe përfaqësuesit e institucioneve diskutuan për rolin e grave në sektorin e bujqësisë dhe sfidat me të cilat përballen. Aktiviteti u organizua nga EcoKosWomen në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Panairi shërbeu si mundësi për promovimin e produkteve vendore dhe prezantimin e punës së grave në bujqësi, blegtori, përpunimin e ushqimit dhe zhvillimin e bizneseve familjare. Gjatë aktivitetit u theksua nevoja për njohjen e kontributit të tyre dhe krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin e veprimtarive ekonomike në zonat rurale.
Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Naser Bajraktari, vlerësoi rëndësinë e angazhimit të grave në sektorët prodhues, duke nënvizuar se puna e tyre vazhdon të mos marrë gjithmonë vlerësimin e merituar.
“Gratë rurale kanë një rol të pazëvendësueshëm, jo vetëm në sektorin e prodhimit të qumështit dhe blegtorisë, por edhe në bujqësi, në përpunimin e produkteve ushqimore, në bizneset familjare dhe në shumë veprimtari të tjera që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik. E dimë se puna e tyre shpesh është e vështirë dhe nuk vlerësohet gjithmonë sa duhet.”, ka deklaruar Bajraktari.
Ndërkohë, ministri i Bujqësisë, Armend Muja, foli për përfaqësimin e grave në skemat mbështetëse të ministrisë dhe për pengesat që ua vështirësojnë përfshirjen më të madhe në sektorin bujqësor. Sipas tij, pronësia mbetet një ndër sfidat kryesore për gratë në Kosovë.
“Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, 15 për qind e përfituesve në skemat tona janë gra. Por një nga problemet që ky komunitet ballafaqohet është prona. Siç e dimë, vetëm rreth 5 për qind e pronave në Kosovë janë në pronësi të grave.”, ka thënë ai.
Për rëndësinë e grave në zhvillimin e bujqësisë foli edhe drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna, e cila theksoi kontributin e tyre në prodhimin vendor, sigurinë ushqimore dhe mirëqenien e komuniteteve.
“Gratë fermere janë shtyllë e rëndësishme e bujqësisë, e zhvillimit ekonomik dhe e mirëqenies së shoqërisë sonë. Me punën, përkushtimin dhe qëndrueshmërinë e tyre, ato kontribuojnë çdo ditë në prodhimin vendor, sigurinë ushqimore, ruajtjen e traditave dhe mirëqenien e familjeve e komuniteteve të tyre.,tha Rafuna.
Pjesë e panairit ishin edhe gra që merren me bujqësi dhe drejtojnë biznese të vogla, të cilat ekspozuan produktet e tyre dhe patën mundësi t’i ofrojnë ato për shitje. Përveç prezantimit të produkteve, ato ndanë përvojat e tyre lidhur me vështirësitë e punës, si dhe përpjekjet për të zgjeruar aktivitetin dhe për të rritur praninë e produkteve vendore në treg.
Aktiviteti riktheu vëmendjen te rëndësia e mbështetjes së grave rurale, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në ekonominë familjare dhe në zhvillimin e bujqësisë në Kosovë.
