Të dielën në zyre të Federatës së Basketbollit të Kosovës, kryetari Erolld Belegu para Bordit të FBK-së e ka prezantuar përzgjedhësin e ri të kombëtares së Kosovës, strategun e mirënjohur amerikan, Brad Greenberg, si dhe kryetarin e Këshillit Profesional, trajnerin slloven, Anton Krump.
Belegu po ashtu para Greenberg-ut dhe Krump-it e prezantoi Bordin e FBK-së dhe rolet e secilit anëtarë, si dhe stafin e FBK-së, ndërsa më pas fjalën e morë të dy trajnerët, të cilët folën për punën që i pret në vazhdim:
“Pas disa muajsh kërkimi për përzgjedhësin e ri dhe pas disa bisedimeve që i kemi pasur me trajnerin Greenberg kemi rënë dakord që ai të jetë përzgjedhës i Kosovës për garat parakualifikuese për Kupën e Botës ‘Kina 2019’. Ne besojmë se së bashku me trajnerin e ri do të kemi sukses në grupin tonë dhe kështu do të arrijnë të kualifikohemi për fazën e radhës në garat e FIBA-s në nivel të Përfaqësueseve”.
Brad Greenberg u shpreh i kënaqur për mundësinë që i është dhënë për të udhëhequr Përfaqësuesen A të Kosovës, dhe të njëjtën kohë tha se kjo është një sfidë e madhe për të.
“Kam kënaqësinë që jam këtu para jush dhe shpresoj se do t’ua shpaguaj besimin e dhënë për faktin se më keni emëruar përzgjedhës të Përfaqësueses A. Kam grumbulluar mjaft informata për Kosovën dhe mendoj se jam në vendin e duhur. Unë do të mbaj përgjegjësi për ekipin që do të drejtoj dhe besoj se bashkërisht do të ndërtojmë një skuadër të mirë, por edhe do të arrijmë të realizojmë qëllimet tona. Drejtimi i Përfaqësueses A për mua është një sfidë, por edhe kënaqësi, si dhe shans i madh, andaj unë premtoj se do të bëj më të mirën që të arrijmë rezultatet pozitive me ekipin”, ka thënë Greenberg.
Në anën tjetër kryetari i Këshillit Profesional, Anton Krump tha se me arritjen e marrëveshjes me trajnerin Greenberg, FBK e ka bërë një punë shumë të mirë dhe beson se me vullnetin e mirë të të gjithëve, Kosova do të arrij suksese në parakualifikimet për Kupën e Botës “Kina 2019”.
“Unë jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj, në mesin e njerëzve që e duan basketbollin dhe që duan që basketbolli të shkoj sa më përpara. Së bashku me trajnerin Greenberg dhe me stafin që ai do të krijoj unë besoj shumë se Kosova do të arrij rezultate pozitive në garat parakualifikuese”.
Duhet theksuar se Kosova do të bëjë gara në Grupin C të parakualifikimeve për Kupën e Botës “Kina 2019” së bashku me Maqedoninë dhe Estoninë.