Federatat e sportistët përfitojnë më shumë nga “kuleta e shtetit”

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) është në vendin e dytë të Kategorisë “A” të sporteve. Por, FFK-ja si federata më e madhe në vend, në bazë të vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), për vlerën financiare të një pike sipas kategorizimit të sporteve, do të marrë 269 mijë e 552 euro për vitin 2020.

Në bazë të kategorizimit të bërë në fillim të këtij viti nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), FFK-ja u rendit në Kategorinë “A” me 79.28 pikë të tubuara dhe në bazë të kësaj, ajo do të jetë përfituesja më e madhe financiare nga shteti. Një pikë e Kategorisë “A” për sportet kolektive është vlerësuar me 3.400 euro, ndërkohë një pikë e federatave të sporteve individuale të Kategorisë “A” është vlerësuar me 2.000 euro.
Në FFK nuk e shohin si problem të madh mbështetjen apo mosmbështetjen financiare të shtetit. Tashmë, kjo federatë burimin kryesor të të hyrave e ka nga UEFA.

“Shumë mirë që jemi në UEFA dhe FIFA, sepse me këto të hyra nga shteti nuk është se mund të kryejmë shumë punë të mëdha. Por, ne i jemi falënderues shtetit dhe ne do t’i shfrytëzojmë këto të hyra ashtu siç janë edhe të destinuara nga MKRS-ja. Këto mjete vijnë me destinacion. Federata ka shpenzimet e veta dhe të hyrat nga UEFA, prej projekteve të fituara nuk mund t’ua ndërrojmë destinacionin. Secili projekt që fitohet nga UEFA duhet të mbyllet, sepse projektet janë të ndara”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi, të hënën, kur edhe MKRS-ja caktoi vlerën financiare të kategorizimit për federatat sportive, sportistët dhe trajnerët.
Në Kategorinë “A” janë edhe dy federata të sporteve individuale, ajo e xhudos dhe e karatesë.

Rezultatet e arritura gjatë vitit të shkuar kanë bërë që xhudoja të mos lëvizë nga pozita e parë në kategorinë A. Këto rezultate i kanë mundësuar xhudos që të tubojë 86.40 pikë për këtë vit dhe do t’i përfitojë nga shteti hiç më pak se 172 mijë e 800 euro, kurse ajo e karatesë që është pas futbollit, do t’i fitojë 156 mijë e 920 euro.
Ndërkohë, hendbolli që zë vendin e katërt do t’i përfitojë 258 mijë e 570 euro, duke lënë pas vetes volejbollin me 253 e 606 euro dhe basketbollin me 253 mijë e 470 euro.

Të ngjashme