ë Kosovë, përqindja e fëmijëve të moshës pesë deri në shtatëmbëdhjetë vjeç, të cilët janë të angazhuar në punë, rezulton të jetë 10.7 për qind, ndërkohë që 6.8 për qind e tyre punojnë në kushte të rrezikshme
Dimri dhe të ftohtit nuk po i pengon fëmijët që të lypin në rrugët e Prishtinës. Fëmijët që kërkojnë dhe bëjnë punë që nuk u takon atyre, mund t’i hasim pothuajse kudo në rrugët e Prishtinës.
Gjysmë të zhveshur, me rroba të grisura apo të veshur fare hollë edhe në ditët e ftohta të dimrit, është panorama që i bënë përshtypje pothuajse kujtdo që i sheh fëmijët nëpër rrugët e kryeqytetit.
Në Kosovë, përqindja e fëmijëve të moshës pesë deri në shtatëmbëdhjetë vjeç, të cilët janë të angazhuar në punë, rezulton të jetë 10.7 për qind, ndërkohë që 6.8 për qind e tyre punojnë në kushte të rrezikshme.
Arsyeja kryesore që fëmijët kërkojnë lëmoshës mbetet situata e rëndë ekonomike dhe sociale. Shumica e fëmijëve që janë të përfshirë në punë të rënda, në një mënyrë, detyrohen të sillen si të rritur, duke mos pasur mundësi ti gëzojnë të drejtat e tyre si fëmijë.
Nuk dëshiron të tregon identitetin dhe as se nga vjen, por është vetëm një nga fëmijët e shumtë të cilët banorët e kryeqytetit rastisin t’i takojnë në rrugë, pranë semaforëve apo edhe në lokalet e Prishtinës, të vetëm, e duke kërkuar lëmoshë.
Ajo thotë se ka dalë nga halli dhe assesi nga qejfi në rrugë, në të ftohët.
“Shiko leckat që kam në trup, dua para për të rrënuar edhe një ditë, prandaj jam këtu”, thotë ajo, duke rrahur me dorë një mbulesë të grisur që ka hedhur mbi trotuar, e cila tashmë ka thithur mjaft lagështirë dhe që po deprëton dhe në trup të saj.
Një pjesë e fëmijëve detyrohen të dalin në rrugë nga prindërit e tyre duke mos përjashtuar edhe mundësinë që mbrapa fëmijëve qëndrojnë individë apo grupe kriminale, të cilët shfrytëzojnë fëmijët për arsye të përfitimit material. Kjo është një dukuri shumë shqetësuese dhe në rritje në Kosovë, pasi që fëmijët nuk e kanë vendin në rrugë por në shkollë, kështu mendojnë sociolog dhe Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë.
Mbrapa fëmijëve që kërkojnë lëmoshe qëndrojnë individë apo grupe kriminale
Donjeta Kelmendi, drejtoreshë në KOMF, ka thënë për “Zëri” se në Republikën e Kosovës, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përqindja e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç të cilët janë të angazhuar në punë, rezulton të jetë 10.7%, ndërkohë që 6.8% e fëmijëve punojnë në kushte të rrezikshme . Ajo ka thënë se arsyeja kryesore e kërkim lëmoshës së fëmijëve mbetet situata e rëndë ekonomike, por ka thënë se nuk duhet përjashtuar mundësin që mbrapa fëmijëve qëndrojnë individë apo grupe kriminale
“Arsyeja kryesore e kërkim lëmoshës së fëmijëve mbetet situata e rëndë ekonomike dhe sociale. Një pjesë e fëmijëve detyrohen të dalin në rrugë nga prindërit e tyre duke mos përjashtuar edhe mundësinë që mbrapa fëmijëve qëndrojnë individë apo grupe kriminale, të cilët shfrytëzojnë fëmijët për arsye të përfitimit material”, ka thënë Kelmendi.
Kelmendi tutje ka thënë se shumica e fëmijëve që janë të përfshirë në punë të rënda, në një mënyrë, detyrohen të sillen si të rritur, duke mos pasur mundësi ti gëzojnë të drejtat e tyre si fëmijë.
“Fëmijët u ekspozohen një sërë rreziqeve për shëndetin dhe formave të ndryshme të shkeljes së të drejtave të fëmijës, përfshirë: neglizhimin, keqtrajtimin, abuzimin fizik dhe psikologjik, e në disa raste mungesën e regjistrimit, mungesën e qasjes në arsim dhe mungesën e strehimit, duke e vënë veten përballë edhe rrezikut të shfrytëzimit seksual dhe/ose trafikimit”, tha Kelmendi.
KOMF konsideron që akoma nuk ka vullnet të mjaftueshëm institucional në nivel komunal në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në punë të rënda, ku kjo vihet re qysh nga mungesa e planifikimit buxhetor për zbatimin e legjislacionit të aprovuar, e si pasojë dhe mungesa e shërbimeve apo alternativave të cilat do ti mbronin fëmijët nga përfshirja në punët e rënda.
“KOMF kërkon vëmendjen e kryetarëve të komunave për realizimin e obligimeve si ekzekutiv, duke bërë që mbrojtja e fëmijëve të jetë prioritet në programet qeverisëse në nivel komunal, në mënyrë që të punohet në parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda. Komunat duhet të funksionalizojnë një sistem gjithëpërfshirës mbrojtës për fëmijët që kërkojnë lëmoshë në situatë rruge. Duhet të krijohen plane veprimi emergjente mes institucioneve të përfshira sikurse: Qendrat për Punë Sociale, Policia e Kosovës, Drejtoritë Komunale për Arsim, Zyrat Komunale për Regjistrim Civil, Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim, OJQ-të etj. për adresimin e nevojave urgjente, për asistencë, adresimin e shkeljeve të të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge”, theksoi Kelmendi.
Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të rishikojë kriteret e skemës së asistencës sociale, në veçanti kriterin e moshës për fëmijët, si një masë për të arritur fëmijët më të cenueshëm të cilët po përballen me varfërinë.
“ Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë financim të qëndrueshëm për shërbimet sociale në Kosovë në mënyrë që shërbimet sociale të jenë në gjendje që të përmbushin nevojat për mbrojtje të të gjithë fëmijëve përfshirë fëmijët e shfrytëzuar për kërkim lëmoshë”, tha Klemendi.
Fëmijët në rrugë shqetësuese
Ndërkaq, Sociologu Leutrim Sahiti, ka thënë se kjo është një dukuri shqetësues dhe në rritje në Kosovë. Ai ka thënë se duhet një trajtim i duhur në rritjen e shëndetshme të tyre dhe edukim të drejtë.
“Kjo është një dukuri shumë shqetësuese dhe në rritje në Kosovë, pasi që fëmijët nuk e kanë vendin në rrugë por në Shkollë, ata duhet të kenë një trajtim të duhur në socializimin dhe rritjen e shëndetshme të tyre, në edukimin e drejtë të tyre larg çdo formë diskriminimi, abuzimi, trafikimi apo dukurie tjetër devijante. Nuk ka një numër të saktë të atyre fëmijëve që kërkojnë lëmoshë në rrugë, sigurisht që duhet të këtë të dhënë të sakta mbi fëmijët që kërkojnë lëmoshë ani pse Policia e Kosovës ka statistika por sa i ofrohen këto statistika realitetit mbetet problem pasi që numri i atyre që kërkojnë lëmoshë është dinamik dhe i padeklaruar”, tha Sahiti.
Sahiti mendon se niveli i lartë i varfërisë dhe papunësisë janë faktorët shtytës që fëmijët dhe të rinjtë të kërkojnë lëmoshë për të siguruar të ardhura minimale për ata dhe familjet e tyre.
“Mungesa e programeve specifike mbështetëse për grupet e margjinalizuara dhe me standard të ulët jetësor, përkrahjes së shtetit, ndërsa si faktor tërheqës jemi ne qytetaret që i japim të holla këtyre grupeve që me ndihmën tonë ne i nxisim që ata të vazhdojnë punën e tyre e cila bie ndesh me ligjet, dhe konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e fëmijëve”, tha Sahiti.
Sipas tij, shteti duhet t’i identifikojë këto raste dhe t’i largojë nga rruga duke i dërguar në qendra të edukimit jo formal dhe duke i përkrahur financiarisht ata dhe familjet e tyre në mënyrë që ata të mos kenë nevojë të kërkojnë lëmoshë por të vazhdojnë shkollimin e tyre duke shtuar që fëimjët bien edhe viktimë e trafikimit.
“ Problemi më i madh është se në shumicën e rasteve këta fëmijë bien viktimë e trafikimit ku grupe trafikantësh manipulojnë me këta fëmijë, i detyrojnë që të kërkojnë lëmoshë apo të bëjnë punë të rënda fizike ndërkohë që në fund të ditës tutori ua merrë paratë e fituara dhe kështu çdo ditë i keqtrajtojnë duke i mbajtur vetëm me ushqim sa për të mbijetuar”, tha Sahiti.
300 persona lëmoshëkërkues të rritur
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka deklaruar se sa i përket dukurisë se kërkim lëmoshës si dukuri që përfshihet në punët e këqija për fëmijë Policia e Kosovës zhvillon aktivitete dhe plane të veçanta me qëllim të largimit të fëmijëve nga rruga.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Haoxha ka thënë se çdo moment fëmijët mundë të jenë viktimë e përfshirjes në krime të ndryshme dhe viktimë e trafikimit me qëllim te lypsaris por edhe për qëllime tjera.
“Policia e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme organizon fushata vetëdijesuese dhe ligjërata në institucione shkollore për dukurit negative në shoqëri dhe pasojat e këtyre dukurive sidomos për fëmijët”, tha Hoxha për “Zërin”.
Gjatë periudhe respektivisht gjashtmujorin e parë 2016, përmes aktiviteteve të planifikuara Policia e Kosovës në disa aksione që kanë realizuar në disa qytete të Kosovës, përmes zbatimit planeve operative të veçanta ka identifikuar rreth 300 persona lëmoshëkërkues të rritur, të cilët kanë qenë në të shumtën e rasteve me familje të tyre ku ka pasur edhe fëmijë të mitur.
“Lemoshkerkueseit kanë qenë të moshave të ndryshme, duke përfshire te mitur dhe te rritur, ku te miturit kryesisht shoqërohen nga familjaret e tyre, ndërsa te rriturit veprojnë edhe te vetmuar të cilët kanë operuar në disa qytete më të mëdha në Kosove, si në Prishtinë, Ferizaj, Pejë, Prizren”, tha Hoxha.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka kryer hetime edhe ndaj personave te dyshuar qe kanë detyruar persona/fëmijë te kryejnë punë te lypsarisë dhe te njëjtit ka arrite ti arrestojë dhe dërgojë para organeve të drejtësisë.