Ferati: LDK-ja nuk ka marrë ftesë të re nga Kurti për vazhdimin e bisedimeve

Prishtinë | 14 Kor 2026 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati bëri të ditur se deri më tani LDK-ja nuk ka marrë ndonjë ftesë të re nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për vazhdimin e bisedimeve politike, raporton Ekonomia Online.

“Ende jo. Nuk kemi ftesë as për ne”, tha ai.

Ai theksoi se takimi i parë ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut nuk kishte të bënte me ndarjen e pozitave politike, por me parimet mbi të cilat duhet të ndërtohet një marrëveshje eventuale.

“Unë i kam dëgjuar me kujdes edhe zotin Abdixhiku, edhe zotin Kurti aty, dhe nuk është deklaruar asnjëri më parë që ka pasur diskutim për ofertë klasike politike. Diskutimet brenda për brenda atij takimi, me sa unë kam informacion prej kryetarit dhe prej deklarimeve të tij publike, kanë qenë në kuptim të parimeve mbi të cilat duhet të ndërtohet një marrëveshje që ka me i stabilizuar institucionet e Republikës së Kosovës, jo në kuptim të pozitave politike edhe jo në kuptim të emrave përveçëm se kush cilën pozitë politike ka me e zënë”, tha ai.

Sipas Feratit, Abdixhiku ka mandat të plotë për ta përfaqësuar LDK-në në proceset negociuese dhe për të përzgjedhur ekipin që e shoqëron në takime.

“Kryetari Abdixhiku ka mandat të plotë të përfaqësimit të LDK-së, edhe si i tillë e merr këdo që e sheh të arsyeshme që mundet me ia plotësuar tavolinën e negociatave. Në këtë rast e ka marrë në shoqërim bartësen e listës, që është absolutisht legjitime sepse ka qenë, po e ritheksoj, e votuar prej Këshillit të Përgjithshëm që është organ vendimmarrës mes dy kuvendeve”, tha ai.

Screenshot

Të ngjashme