Ferizaj shënon 7 Marsin – Ditën e Mësuesit

Prishtinë | 06 Mar 2020 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Këtë të premte në Teatrin e qytetit “Adriana” në Ferizaj, është shënuar 7 Marsi-Dita e Mësuesit.

Në këtë manifestim mori pjesë nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi-Bytyçi, drejtori i arsimit Afrim Llabjani, drejtorë të drejtorive komunale, pjesëtare të FSK-së, mësues dhe veteranë të arsimit.

Me këtë rast drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Afrim Llabjani, të pranishmit i ka përshëndetur në emër të Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ndërsa është shprehur se sot është një nga ditët më të shënuara në historinë e arsimit të kombit shqiptar, sepse po përkujtohet Mësonjëtorja e parë shqipe.

“Sot, kur kujtojmë lindjen e Shkollës së Korçës, Pandeli Sotirin e Petro Nini Luarasin, kur kujtojmë Rilindjen e madhe Shqiptare të Naimit, Samiut, De Radës, Kristoforidhit, kur kujtojmë 7 marsin e Shaban Jasharit, kur kujtojmë marsat e shtëpive shkolla, të mbijetesës ë te sakrificës, sot, lirisht mund të shpallim shkollën shqipe flamur më të lartësuar të lirisë së shqiptarëve-bartur nga mësuesit e të gjithë brezave deri në ditët e sotme me përkushtim, krenari, sakrificë e heroizëm të jashtëzakonshëm. Është shkolla jonë shqipe që na solli këtu ku jemi sot, në këtë festë e orë historie teksa kthehemi pas me krenari e admirim, shohim para me shpresë e besim në vetë”, ka thënë drejtori Llabjani.
Ai tutje ka thënë se të gjithë bashkë po bëjnë përpjekje që të kalohet në një nivel tjetër të shkollimit.

“Edhe sot, të qeverisës me arsimin nuk është e lehtë. Sfidat po na përcjellin në çdo segment të jetës në arsim. Por siç ia dolëm dikur, edhe sot do t’ia dalim. Kam një ndër e privilegj, që në furinë e gjatë të ndryshimeve në Ferizaj, një hapësire të gjerë të zënë edhe investimet ne infrastrukturën e shërbimeve arsimore”, ka thënë drejtori Llabjani, ndërsa i ka uruar të gjithë mësimdhënësit me rastin e festës së 7 marsit.

Me këtë rast nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati, së bashku me drejtorin e Arsimit Afrim Llabjani, kanë ndarë mirënjohje për mësimdhënësit të cilët u pensionuan nga 7 marsi i vitit 2019 e deri me sot.
Në fund u shfaq edhe një program i pasur kulturo- artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollave të Ferizajt.

Fotografia e Komuna e Ferizajt
Fotografia e Komuna e Ferizajt
Fotografia e Komuna e Ferizajt
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme