Fermerët në Maqedoni kërkojnë realizim më të shpejtë të “naftës së gjelbër”

Prishtinë | 24 Pri 2020 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Mendimet e fermerëve për vendimin e qeverisë për rritjen e taksave të akcizës për tre denarë janë të ndryshme, por unike është kërkesa për “naftën e gjelbër” të dorëzohet sa më shpejt, informon AIM.

Ata presin që njoftimi i autoriteteve të realizohet – në vend të 30 për qind si vitin e kaluar, “nafta e gjelbër” këtë vit të mbulojë 50 për qind të kostove të karburantit.

Nga Agjencia e Pagesave për AIM-në konfirmojnë se mbështetja për blerjen e karburantit në bujqësi këtë vit do të jetë 50 për qind, siç ishte premtuar. Por fermerët duhet së pari të përdorin “kartat e gjelbra” të vitit të kaluar që zgjasin deri më 30 prill të vitit 2020.

“Çdo rritje në kostot e prodhimit nuk u përshtatet fermerëve. Nga rritja e akcizës, më të prekurit do të jenë fermerët që shpenzojnë më shumë naftë për prodhimin, e më pas pemëtarët dhe kopshtarët. Më pak të prekur ata që merren me rritjen e deleve”, tha Eftim Shaklev, kryetari i Shoqatës së Fermerëve.

Sipas Shaklev, është shumë e rëndësishme që rritja e akcizës të zgjasë derisa të rritet çmimi i naftës.

“ Kur nafta të arrijë çmimin e shitjes me pakicë të janarit, 60 e më shumë denarë, rritja e akcizës nuk duhet të zbatohet më, duhet të shfuqizohet. Ne presim që “nafta e gjelbër” të subvencionohet me 50 për qind, sepse vitin e kaluar, kur u prezantua për herë të parë, ishte 30 për qind, dhe na premtuan se do të rritet në mënyrë suksesive”, thekson Shaklev dhe apeloi që përfundimisht të zgjidhen çështjet që kanë të bëjnë me “naftën e kuqe”, që sipas tij, po abuzohet me të.

Për kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Prodhuesve Bujqësor nga Strumica, Risto Velkov, tre denarët për të cilët është rritur akciza nuk janë problem, por “nafta jeshile” duhet të jepet sa më shpejt derisa çmimi i naftës në pakicë është më i ulët.

“Ne e kuptojmë situatën në të cilën ndodhet vendi, ne nuk i mohojmë tre denarët, por, do të thoja përsëri, është shumë e rëndësishme që të marrim sa më shpejt “naftën e gjelbër” me qëllim që benifiti për fermerë të jetë më i madh”, tha Velkov.

Kryetari i Lidhjes së Fermerëve, Veljo Tantarov, mendon ndryshe. Ai beson se rritja e akcizës është bërë në një kohë të papërshtatshme.

“Pas thatësirës së vitit të kaluar, pak fermerë kanë para për të blerë fara, pleh dhe produkte për mbrojtjen e bimëve nga sëmundjet. Ne duam që qeveria të na japë përsëri “naftë të gjelbër” për të mbjellë gjithçka që është planifikuar. Në këtë mënyrë, rritja e taksës së akcizës do të kompensohet, thekson Tantarov.

Ai u bëri thirrje autoriteteve të marrin në konsideratë të ndihmojnë pronarët më të vjetër të fermave që kanë makineritë e vjetruara sepse përndryshe mund të lihen pa punuar rreth 10,000 hektarë tokë.

Federata Kombëtare e Fermerëve (FKF) thotë se e kundërshton rritjen e akcizës për karburantet. Por, pasi tashmë është marrë ky vendim i qeverisë, konsideron se “nafta e gjelbër” duhet të realizohet me kohë, në fillim të periudhës së verës, në qershor, kur kryhen shumica e aktiviteteve bujqësore. Kjo do të sigurojë mbështetje të drejtpërdrejtë për bujqësinë.

FKF-ja, siç informoi kryetarja e saj Vaska Mojsovska, i dorëzoi një letër Ministrisë së Bujqësisë, Pyjeve dhe Ekonomisë së Ujërave ku kërkonte zbatimin në kohë të mbështetjes së kostove për blerjen e karburantit për makineri bujqësore, që duhet të arrijë në 50 për qind.

“Ne besojmë se me rritjen e akcizës, industria bujqësore që aktualisht po kryen punë aktive në terren do të preket dhe kjo sigurisht që do të çojë jo vetëm në rritjen e çmimit të karburantit, por edhe në lëndët e para për prodhimin, mbrojtjen dhe farat. Fakti që 180,000 familje në vend ekzistojnë nga bujqësia duhet të merret në konsideratë dhe 45 për qind e popullatës maqedonase jeton në zona rurale, të cilat zënë 87 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të vendit”, thotë Mojsovska.

Për “kartat e gjelbra” këtë vit janë projektuar 280,000,000 denarë

Drejtori i Agjencisë së Pagesave, Nikolçe Babovski, theksoi se fermerët duhet së pari të përdorin kartat e “naftës së gjelbër” të vitit të kaluar deri në fund të këtij muaji.

“Procedura e tenderit për kartat ka mbaruar. Operatori ekonomik, brenda një periudhe jo më të gjatë se 60 ditë, duhet t’i përgatisë dhe dorëzojë ato pranë Agjencisë së Pagesave dhe me pas do të fillojë shpërndarja. Këtë vit, siç kemi premtuar, mbështetja për blerjen e karburantit përmes kartave të “naftës së gjelbër” do të mbulohet 50 për qind e kostos së prodhimit, e cila është llogaritur sipas metodologjisë së vendosur. Llogaritja se sa para do të ketë në kartë fermeri, si vitin e kaluar, do të varet nga lloji i prodhimit që ai raportoi për subvencione.

Përqindja e mbështetjes është parashikuar tashmë në Program. Me kartën e personalizuar dhe sasinë në dispozicion, mund të derdhet vetëm “Eurodiesel” për makineri bujqësore. Qëllimi është të inkurajojmë prodhuesit bujqësorë që të konsolidojnë prodhimin e tyre në këtë mënyrë. Me këto fonde dhe duke rritur mbështetjen, ne do të ndihmojmë në amortizimin, përkatësisht të ulim shpenzimet e fermerëve”, thotë drejtori Babovski për MIA-n.

Vitin e kaluar, 200 milion denarë ishin planifikuar për “naftën e gjelbër” dhe këtë vit shuma është 280,000,000 denarë.

“Këtë vit, ashtu si vitin e kaluar, me këto fonde në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke zvogëluar kostot e prodhimit, do të ndihmohen 60,000 fermerë” është decid Babovski.

Më 21 Prill, qeveria miratoi një Dekret për të rritur akcizat për benzinën pa plumb, naftën dhe karburantin e ngrohjes. Siç tha zëdhënësi Muhamet Hoxha, duke e shpjeguar masën, rritja e akcizës për tre denarë nuk do të shkaktojë implikime financiare shtesë për kompanitë dhe popullsinë dhe as për transportin apo aktivitetet e tjera sepse çmimi i naftës është ulur për 20 denarë.Të gjitha fondet nga rritja e akcizës do të shkojnë në buxhetin e shtetit, pra në Fondin për koronavirusin. Hoxha gjithashtu informoi se nëse çmimi me pakicë i naftës rritet me 10 denarë, akciza do të ulet me një denar, dhe nëse çmimi rritet me 20 denarë, akciza do të ulet me tre denarë ose çmimi do të kthehet I njëjti si para futjes së kësaj mase antikrizë.

Disa ditë më parë, më 16 prill, Ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski, në një konferencë për shtyp, kur u pyet nga MIA se si e komenton ai pozicionin e Federatës Kombëtare të Fermerëve, e cila është kundër rritjes së akcizës, u përgjigj se nuk pret që kjo masë të ketë ndonjë ndikim në çmimin e prodhimit sepse këtë vit subvencioni për “naftën e gjelbër” do të jetë 50 për qind.

Të ngjashme