Me ftesën e presidentit të Feronikelit, Naser Ramaj, si dhe Komunës së Drenasit, grupi i mirënjohur, “Elita 5” ka dhënë një performancë fantastike në Drenas.
Me këtë rast është bërë edhe një prezantim i shurtër mbi punën që është bërë nga kryesia e re e Feronikelit, si dhe synimet që pritet të arrihen gjatë sezonit që po vjen. Në anën tjetër, vokalisti i Elita 5, Arif Ziberi tha se prej tash e tutje do të jetë tifoz i klubit të qytetit.
Më poshtë lexoni fjalimin e mbajtur:
“Kur përmendet Drenasi, nuk ka se si të mos kujtohet në mënyrë automatike klubi i futbollit, Feronikeli, i cili është krenaria më e madhe dhe përfaqësimi më dinjitoz i qytetit tonë.
Për të punojnë dhe e mbështesin një numër i madh njerëzish që janë rritur e i janë bashkuar historisë së klubit, duke u bërë një me të. I tillë është edhe presidenti aktual i Feronikelit, z. Naser Ramaj, i cili po e udhëheq klubin që nga fillimi i këtij viti dhe që përgjatë këtyre muajve e ka mbështetur maksimalisht në të gjitha aspektet.
Për këtë sezon, kryetari Naser Ramaj i ka mbledhur futbollistët më të mirë dhe që kanë shfaqur lojë të jashtëzakonshme nëpër ekipet tjera dhe për këtë arsye edhe e tërë vëmendja e mediave dhe futbolldashësve është kthyer nga Feronikeli. Kjo sepse klubi i qytetit tonë, falë tij, sivjet është pretendent i fuqishëm për titull.
Përderisa deri më sot janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, nuk duhet harruar që ekipi ka nevojë për mbështetjen e tifozerisë, të cilët janë shpirti i Feronikelit.
Këtë sezon së bashku do ta risjellim titullin në qytetin tonë”.