Festa që bashkoi kombet

Prishtinë | 22 Kor 2018 | 08:34 | Nga

Kur Kroacia me shumë mund fitoi 1:0 ndeshjen e veçantë ndaj Kosovës, në shtator të vitit të kaluar, pak njerëz mund të kenë besuar se kjo përfaqësuese më pas do të kishte një rrugëtim ëndrrash që do ta dërgonte deri në finale të Kupës së Botës në futboll.

I pakënaqur me drejtuesit e Federatës dhe njerëzve me ndikim në futboll, opinioni në Kroaci ishte i ndarë rreth përfaqësueses dhe jo të gjithë e përkrahnin atë. Ndonëse ende ka kritikë, suksesi i përfaqësueses ka bashkuar Kroacinë. E ka bashkuar këtë vend në përkrahje të ekipit të futbollit, të paktën, shkruan sot “Koha Ditore”.

Vlerësohet se ky element, krijimi i unitetit brenda vetë shteteve, të jetë prej sukseseve më të mëdha të Botërorit të 21-të të futbollit, “Rusia 2018”, që lëshoi perden të dielën e kaluar me finalen dramatike, të cilën e fitoi Franca ndaj Kroacisë 4:2.

Botërori, që nisi më 14 qershor, është vlerësuar thuajse nga të gjithë si një tregim suksesi. Rusia është dëshmuar si organizatore e zonja, loja më e popullarizuar ka bërë zhvillimin e mëtejmë, ndërsa tifozët nuk kanë ndalur festën për një muaj rresht. Kishte plot momente emocionale gjatë muajit të futbollit, kishte ndeshje të mëdha, mjeshtëri të lojtarëve në fushë, shumë ngjyra në tribuna dhe në fund festë të madhe te francezët.

Evropa, që i ka ligat më të famshme të futbollit, ka dominuar këtë botëror, duke dhënë katër gjysmëfinalistët. Yje të reja kanë dalë në këtë kampionat, ndonëse jo shumë, lojtarë të nivelit të lartë janë konfirmuar, ndërsa yjtë më të mëdhenj të lojës kanë mbetur duarthatë, larg trofeve. Bëhet fjalë para së gjithash për Lionel Messin që dështoi me Argjentinën dhe Cristiano Ronaldon që u largua herët nga Rusia së bashku me përfaqësuesen e Portugalisë

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme