Një vit më parë tri partitë opozitare në Kosovë Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën patën zgjedhur 28 Nëntorin për t’u mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” të kryeqytetit, për të protestuar kundër marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi.
Manifestimi pati përfunduar paqësisht, deri në momentin kur Policia e Kosovës rrethoi selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, për të arrestuar ish kryetarin e saj Albin Kurtin, si dhe aktivistë të tjerë të kësaj lëvizje.
Kurti, i cili ishte në arrest shtëpiak, doli para masës për të mbajtur fjalim, u arrestua nga Policia në zyrën qendrore të VV-së.
Në anën tjetër dhjetëra aktivistë të VV-së, ishin mbledhur tek selia e tyre, ku kërkonin nga policia që të mos arrestojnë Kurtin. Ata kishin përdorur gaz lotsjellës dhe sprej për të parandaluar arrestimin e Kurtit, me ç‘rast dy aktivistë dhe dy pjesëtarë të PK-së mbeten të lënduar.
87 persona të tjerë patën përfunduar në arrest.
Kjo ngjarje pati zgjuar reagime të shumta të qytetarëve dhe organizatave të ndryshme, përmes të cilave veprimet e PK-së në zyrën e LVV-së janë cilësuar të dhunshme.