Festim Alidema, Ylli i Javës në Superligë

Prishtinë | 31 Tet 2022 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Festim Alidema ishte ylli i xhiros së 14-të të Superligës së futbollit.

Ai u vlerësua si më meritori për fitoren e skuadrës llapjanë ndaj lideres së ligës elitare, Drita, me rezultat 4:1.

Në fakt, Alidema pati paraqitje të shkëlqyeshme në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”, duke qenë kreator i lojës së Llapit dhe asistues në tre gola për bashkëlojtarët e tij, shkruan “Gazeta Express”.

E pas marrjes së çmimit futbollisti i llapjanëve u shpreh falënderues për vlerësimin, teksa theksoi se skuadra e tij do të vazhdojë të punojë në realizimin e objektivave të këtij edicioni.

“Çmimi ‘Ylli i javës’’ është një motiv shtesë për mua që tashmë jam duke u rikthyer në formën time të mëparshme. Për këtë çmim meritorë janë edhe bashkëlojtarët dhe shtabi teknik, të cilëve u jam falënderues. Llapi është duke e gjetur formën nga ndeshja në ndeshje dhe si gjithmonë edhe këtë edicion nuk do të dorëzohemi drejt synimeve tona”, tha Festim Alidema për faqen zyrtare të FFK-së.

Çmimin e më të mirit të javës e ndan pas çdo xhiroje Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall. 

Të ngjashme