Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka organizuar manifestimin tradicional të fundvitit “Laureatët 2019”, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, deklaroi se federata në këtë vit ka pasur më pak fjalë e më shumë punë.
Ademi i uroi të gjithë laureatët për çmimet si më të mirët e vitit 2019.
“Në vitin 2019 kemi pasur shumë më pak fjalë kemi pasur shumë më shumë punë. Besoj që sonte do të jetë një natë ku do t’i shpërblejmë më të mirët e këtij vitit. Uroj të gjithë laureatët për çmimet. Dëshiroj vit të mbarë për Futbollin e Kosovës”, ka thënë ai.
Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, potencoi se Kosova do ta ketë përkrahjen e UEFA-s. Ai tha se kualifikimet në euro 2020 do të jenë dhuratë për Fadil Vokrrin.
“Futbolli kosovar do ta ketë mbështetjen e UEFA-s. Kualifikimi në Euro2020 do të ishte dhurata më e mirë për Fadil Vokrrin. Uroj të gjithë lojëtarët që do të marrin çmimet në këtë eveniment. Ata do të jenë model për gjeneratat e reja”, tha Ceferin përmes një videomesazhit.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, deklaroi se e gjithë Kosova është krenar me futbollin e Kosovës.
Derisa i uroi sukses futbollistëve në ndeshjet kualifikuese në vitin 2020.
“Vitin e kaluar na keni bërë krenar duke mos bërë asnjë humbje. Këtë vit tërë kosova mburret me ju e keni vendos Kosovën në hartë më së larti. Ju i keni bërë gjithë shqiptarët krenar e të bashkuar. Ju dëshiroj suksese në ndeshjet e mbetura kualifikuese”, u shpreh Haradinaj.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, theksoi se Kosova po e përmbush infrastrukturën kulturore, tani edhe me ndërtimin e stadiumit “Adem Jashari”.
“Ka qenë një vit i suksesshëm si për kombëtaren por edhe për ligën. Kombëtarja jonë dhe ekipet tona nuk kanë nevojë të shikojnë stadiumet e shteteve tjera por tani e kemi tonin. Jemi në prag të ndërtimit të stadiumit Adem Jashari dhe dalngadal Kosova po e mbaron infrastrukturën. Suksese për federatën kombëtare të Kosovës dhe gjithë laureatëve fitues sonte”, u shpreh Gashi.