FIFA i ka këshilluar autoritetet kombëtare të futbollit të mendojnë dhe veprojnë praktikisht, si dhe të kenë konsideratë, kur të jenë duke vendosur se a duhet të ndëshkohen apo jo lojtarët që po protestojnë gjatë ndeshjeve për vrasjen e George Floyd.
Dy lojtarë të Borussia Dortmundit, Jadon Sancho dhe Achraf Hakimi, si dhe mesfushori amerikan i Schalkes, Weston McKennie, kërkuan drejtësi për George Floyd, i cili vdiq javën e kaluar pasi një polic i bardhë në Minneapolis ia mbajti gjurin në qarë për gati nëntë minuta.
Edhe Marcus Thuram i Borussia Monchengladbachut u ul në një gju pasi shënoi, duke përsëritur veprimin e ish-lojtarit të NFL, Colin Kaepernick, i cili kishte ngjallur debat të madh në SHBA në vitin 2016 kur e kishte bërë këtë veprim si protestë ndaj racizmit.
Tre lojtarët e parë të lartpërmendur – Sancho, Hakimi dhe McKennie – janë duke u hetuar nga Trupi Kontrollues i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, pasi që rregullat e Bordit Ndërkombëtar të Shoqatave të Futbollit e kërkojnë një gjë të tillë.
Megjithatë, FIFA beson se Federatat vendore të futbollit do të duhet të kenë konsideratë për këtë rast.
“FIFA e kupton plotësisht thellësinë e ndjenjave dhe shqetësimet që po shprehen nga futbollistët pas rrethanave tragjike të rastit të George Floyd”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.
“Aplikimi i ligjeve të sportit… mbetet në duart e organizatorëve të garave, duhet të mendojnë dhe veprojnë praktikisht dhe duhet të kenë konsideratë për kontekstin e kësaj ngjarjeje”.