Figura e Rrahman Morinës nxjerr në gjykatë gazetarin Betim Musliu dhe aktivistin e shoqërisë civile Florent Muqaj

Prishtinë | 31 Tet 2022 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Figura e Rrahman Morinës, të hënën ka nxjerrë në gjykatë gazetarin Betim Musliu dhe aktivistin e shoqërisë civile Florent Muqaj, pasi të dytë janë paditur nga prokurorja në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Sevdije Morina, e cila pretenton se është fyer dhe shpifur, kur sipas saj të paditurit përmes sms-ve privatë kanë përmendur Rrahman Morinën gjatë një mbledhje të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Ndryshe, Sevdije Morina, prokurore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, është kunata e Rrahman Morinës, ish-funksionarit të lartë komunist në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë padi, të hënën është mbajtur seanca përgatitore në Divizionin Civil të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në të cilën edhe është precizuar padia e ushtruar në vitin 2015 nga Sevdije Morina, ish-anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), tani prokurore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, përmes së cilës ka kërkuar nga Betim Musliu dhe Florent Muqaj 30 mijë euro kompensim për shpifje dhe fyerje.

Një gjë të tillë, e ka bërë të ditur në fillim të seancës, përfaqësuesja e paditëses Morina, avokatja Albana Kelmendi, duke theksuar se padisë i shtohet edhe shpifja, ndërsa pjesa tjetër mbetet e pandryshuar.

Tutje, e njëjta ka shtuar se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë së ushtruar me propozimin që të njëjtat gjykata t’i aprovojë në tërësi si të bazuara.

Kelmendi i ka propozuar gjykatës që në cilësi të dëshmitarit lidhur me këtë çështje juridike kontestimore, të dëgjohet Kreshnik Gashi, si autor i emisionit me titullin “Prapaskenat e garës për kryeprokuror”, në mënyrë që të vërtetohet fakti se në mes të paditurit të parë Musliu dhe të paditurit të dytë Muqaj, janë dërguar mesazhe me përmbajtje fyese.

Avokatja Kelmendi, po ashtu ka propozuar të caktohet ekspertizë nga lëmia e psikiatrisë, në mënyrë që të vërtetohet se paditësja ka pësuar dhimbje shpirtërore si shkak i cenimit të nderit, autoritetit dhe reputacionit të saj.

Kelmendi gjithashtu i ka propozuar gjykatës që të mos administrohen provat e paraqitura përmes përgjigjes në padi nga paditësi i dytë Florent Muqaj, pasi sipas saj që të njëjtat nuk kanë asnjë lidhje me objektin e këtij kontesti.

Propozimet e tilla, i ka kundërshtuar avokati i autorizuar i paditësit të parë Musliu, Kujtim Kërveshi, duke theksuar se mbeten pranë përgjigjes në padi dhe kundërshtojnë në tërësi padinë si për nga baza ashtu edhe për nga lartësia.

Kërveshi ka konstatuar se sipas tij, gjykata nuk është dashur fare të lëshohet në elaboratin e padisë, pasi që paditësja asnjë nga provat prej të cilave e mbështet padinë, nuk e ka dorëzuar në së paku 3 kopje, një për gjykatën dhe dy për të paditurit.

Tutje, ai ka shtuar se në këtë çështje kontestimore për të paditurin e parë nuk ekziston e drejta për të qenë palë e paditur, kjo për faktin se Betim Musliu as nuk është autor i ndonjë emisioni, ndonjë shkrimi apo shpërndarës i të njëjtave për çka pretendohet përmes padisë.

Kërveshi tha se sipas ligjit civil kundër shpifjes dhe fyerjes, për të ndërtuar bazën e padisë duhet të ekzistojë minimalisht lidhja kauzale në mes të subjektit që është autor ose shpërndarës i thënieve mbi të cilat mund të mbështetet supozimi i fyerjes dhe/ose shpifjes.

“Publikimi i fyerjes së supozuar në mediumet e tjera është çeshtje jashtë ndikimit të të paditurit të parë, do të ishte tjetër situatë nëse i njëjti do të ishte autor apo shpërndarës në media ose rrjete sociale, duke qenë se deri më tani e siç e thashë më lartë paditësja mbështet padinë dhe lidhjen kauzale nga veprimet dhe personat e tjerë si autorë eventualisht edhe si shpërndarës të lajmeve, në mungesë të të gjitha provave, të cilat paditësja në padinë që supozoj se e ka përpiluar vetë, meqë nuk mban shënime të ndonjë avokati të licencuar dhe bart obligime ndaj gjykatës, por duhet të bartë edhe pasoja për parregullsinë e padisë dhe ky nuk është gabim që buron nga një person laik i drejtësisë që nuk i din rregullat dhe dispozitat e LPK-së”, shtoi Kërveshi.

Tutje, avokati Kërveshi i ka propozuar gjykatës që padinë ta hedhë poshtë si të parregullt ligjërisht, si dhe ka kundërshtuar propozimet lidhur me dëgjimin e dëshmitarit dhe caktimin e ekspertizës na lëmia e psikiatrisë.

Kurse, avokati i autorizuar i paditësit të dytë Muqaj, Labinot Vata deklaroi se e kundërshton në tërësi padinë e paditëses.

“I padituri i parë në asnjë moment nuk i ka dërguar asnjë sms të paditurit të dytë në lidhje me paditësen Sevdije Morina dhe se nëse ekziston ndonjë diskutim ndërmjet dy të paditurve është çeshtje private e tyre dhe të njëjtit s’kanë përmend asnjë emër as në sms as në ndonjë deklarim tjetër”, tha avokati Vata.

Vata shtoi se i vetmi emër që pretendohet se është përmendur është ai i Rrahman Morinës, i cili ka vdekur dhe nuk mund të jetë paditës.

Sa i përket propozimeve të bëra nga ana e përfaqësueses së paditëses, Vata theksoi se për të njëjtat do të deklarohet pas vendimit të gjykatës lidhur me propozimin për hudhjen e padisë nga avokati Kërveshi.

Lidhur me propozimet e palëve, gjykatësja e rastit Rrezarta Sylejmani-Voca mori aktvendim përmes së cilit konstatoi se lidhur me propozimin për dëgjimin e dëshmitarit si dhe për ekspertizën nga lëmia e psikiatrisë, gjykata do të vendos varësisht nga rrjedha e procedurës në këtë çështje kontestimore juridike.

Në rrethana të tilla, seanca e sotme përfundoi, kurse lidhur me seancën e radhës gjykatësja Sylejmani-Voca konstatoi se palët do ftohen me ftesa të rregullta varësisht rrjedhës së procedurës.

Ndryshe, sipas padisë së 5 majit 2015, paditësja Sevdije Morina ka kërkuar kompensim të dëmit material për fyerje në vlerë prej 30 mijë euro ndaj të paditurve Betim Musliu dhe Florent Muqaj.

Në padi thuhet se më 13 shkurt 2015, në takimin e 88-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës, gjatë diskutimit rreth tërheqjes së pesë kandidatëve që kishin konkuruar për Kryeprokuror të Shtetit dhe vazhdimit apo jo të procedurës për nominimin e kandidatit të mbetur për Kryeprokuror të Shtetit, në momentin kur në mes të paditëses dhe të paditurit Muqaj, që të dy në atë kohë anëtarë të KPK-së, argumentohej pro dhe kundër vazhdimit të procesit me një kandidat, sipas padisë i padituri Musliu, prezent në sallë, përmes telefonit ia ka dërguar të paditurit Muqaj dy SMS me përmbajtje skajshmërisht fyese kundër paditëses dhe familjes së saj, ku theksohet se në SMS 1 thuhet “Gjeje vegëzën, edhe ni here e q. nanën”, kurse SMS 2 thuhet se thotë “Tu dha mundësia bre, q. nanën e përmenja, thuj mos u sill si në kohën e Rahman Morinës”.

Tutje në padi thuhet se menjëherë pas marrjes së SMS-it të dytë, Muqaj i tha paditëses, por në një formë tjetër po ashtu fyese për paditësen “Unë po të admiroj për guximin tënd, në një stil të veçantë që mua m’i përkujton do kohë tjera”, e që sipas paditëses është aludim i qartë tek anëtari i familjes, ish-funksionar deri në vitin 1990, kur edhe ka vdekur, ashtu siç thuhet se ishin udhëzimet e dërguara nga i padituri Musliu.

Në vazhdim, në padi thuhet se dy të paditurit janë përgjegjës për fyerje ndaj paditëses me arsyetimin se ata të dy kanë fyer paditësen dhe i kanë përhapur fjalët fyese, pasi që me këto veprime thuhet se të paditurit i kanë shkaktuar dëm moral paditëses dhe dëmtim të reputacionit të saj si prokurore, kryeprokurore e PSRK-së, si anëtare e KPK-së, si nënë e bashkëshorte dhe si qytetare e këtij vendi.

Po ashtu, në padi thuhet se fyerjen e bën më të rëndë dhe me pasoja më të mëdha sidomos fakti se të njëjtat janë bërë në vend dhe në takim publik, e të cilat janë transmetuar përmes mjeteve të informimit për publikun e gjerë.

Ndërsa, thuhet se si pasojë e këtyre fyerjeve, paditëses i është shkaktuar dëm moral, duke e bërë të ndihet keq dhe e fyer, si në mesin e vartësve dhe bashkëpunëtorëve të saj në vendin e punës, e po ashtu edhe në mesin e anëtarëve të familjes së ngushtë dhe të gjerë, të afërmeve të tjerë dhe rrethit ku jeton.

Në padi, thuhet se për më tepër është fyer familja e gjinisë së paditëses, me arsyetimin se nga përmbajtja e SMS-ve ofenduese të paditurve janë ndier të fyer nga babai, vëllezërit dhe motrat e paditëses.

Andaj, me anë të kësaj padie është kërkuar që të aprovohet si e bazuar padia dhe kërkesëpadia e paditëses si dhe të vërtetohet se të paditurit me veprimet e tyre antiligjore e kanë fyer paditësen, i padituri i parë duke dërguar SMS me përmbajtje fyese dhe i padituri i dytë duke i pranuar ata në telefonin e tij dhe duke ia transmetuar ata paditëses në të njëjtën kohë.

Po ashtu, është kërkuar që të detyrohet të paditurit që paditëses për dëmin moral, cenimin e reputacionit dhe personalitetit të saj t’ia paguajnë secili shumën prej nga 15 mijë euro, me kamatë ligjore nga data e shkaktimit të dëmit e deri në pagesën përfundimtare.

Tutje, me anë të padisë është kërkuar që të detyrohen në paditurit që publikisht, përmes mjeteve të informimit t’i kërkojnë falje paditëses për fyerjen e bërë dhe të njëjtit të obligohen që në mënyrë solidare t’i paguajnë shpenzimet procedurale deri në mbarim të plotë të procedurës.

Në anën tjetër, i padituri Musliu në përgjigje në padi ka propozuar që të refuzohet padia në mungesë të themelësisë.

Sipas tij, baza e vetme e padisë janë dy mesazhet private për të cilat paditësja në kërkesëpadi pretendon se i padituri ia ka dërguar një anëtari të KPK-së.

Tutje, në këtë përgjigje thuhet se në rastin konkret, ashtu siç e ka argumentuar edhe paditësja në kërkesëpadi, nuk ka të bëjë me publikim të asnjë materiali nga i padituri dhe se i gjithë argumenti i paditëses është mesazhi i cili sipas saj ka qenë fyes.

Ndërkaq, lidhur me aludimet e të paditurës për emisionin televiziv ku është paraqitur përmbajtja e mesazheve, i padituri në përgjigje në padi ka thënë se fillimisht nuk është autor, as publikues/transmetues i këtij emisioni, por është një media tjetër, e sipas tij nëse është shkaktuar ndonjë dëm, ky dëm nuk vie nga ana e të paditurit Musliu, por nga ana e publikuesit të emisionit.

Tutje, ai ka thënë se përderisa flitet për mesazhe të cilat thuhet se janë dërguar nga i padituri, në rastin konkret bëhet fjalë për një bisedë të lirë dhe private, ku nuk përmendet askund paditësja, në asnjë mënyrë nuk mund të hyjë në domenin e fyerjes.

Të ngjashme