Shqipëria bëhet vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që pajiset me një laborator të lëvizshëm për nxënësit shqiptarë. “FiKiBio” është laboratori që ministria e Arsimit ka marr si dhuratë nga Qeveria gjermane. Nëpërmjet këtij autobusi lëvizës me mjetet më të fundit teknologjike, fëmijët në shkolla të ndryshme të vendit do të mund të eksperimentojnë fenomene dhe dukuri natyrore të cilat i mësojnë në teori në librat shkollorë.
Ky laborator sot ishte i vendosur në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer” në Tiranë ku fëmijët e klasës së 5-të bënë eksperimente të ndryshme. Në këtë ceremoni dorëzimi ishte e pranishme ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe ambasadorja gjermane në Tiranë Susanne Schütz. Ministrja Nikolla pasi shprehu mirënjohje për këtë dhuratë me vlerë për arsimin shqiptarë deklaroi se ky laborator do të pajisë brezat e rinj me njohuri dhe argumente të bazuara mbi të vërteta shkencore të cilat do të formësojnë edhe qëndrimet e tyre në të ardhmen, transmeton TCH.
Një grup mësuesish të trajnuar janë vetëm fillimi për ministren e Arsimit pasi kjo teknologji kërkon mësues edhe më shumë të trajnuar që të jenë kudo në 12 qarqet e vendit për të pasur mundësinë që fëmijët përmes njohurive të tyre të formojnë kompetencën por edhe të luftojnë lajmet e pavërteta dhe të pabazuar në studime shkencore mbi mjedisin, natyrën dhe ujin.
Ambasadorja gjermane deklaroi nga shkolla “Gustav Mayer” se ky laborator do ta bëjë më të kuptueshëm mjedisin jetësorë të nxënësve të cilët do të ushtrohen në eksperimente të dobishme por edhe argëtues për të kuptuar më shumë nga fenomenet që i rrethojnë.