Miliona euro janë dhënë për lobim, shërbime këshillëdhënëse e shërbime të ndryshme intelektuale, sa Hashim Thaçi ishte ministër i Punëve të Jashtme, e tash President.
Por, jo të gjitha këto dokumente i janë ofruar Komisionit Hetimor Parlamentar që po i heton shpenzimet e Qeverisë dhe Presidencës për lobim, raporton KTV.
Dhjetëra kontrata Ministria e Punëve të Jashtme nuk ia ka ofruar Komisionit, e për këtë, vetë anëtarët kanë kërkuar shpjegim nga MPJ-ja.
Alston &Bird LLP, Patton Bogs e Cambridge Academy of Global Afairs, janë tri nga kompanitë me të cilat MPJ-ja ka pasur kontrata.
Kontrata me Alston& Bird kishte vlerë prej 780 mijë dollarësh, e nënshkruar për periudhën 12 mujore nga 1 marsi 2017 deri më 28 shkurt 2018 .
Kjo kompani do të duhej që Komisionit Hetimor t’i dërgonte raportet për të 12 muajt, por i ka dërguar vetëm për 8 prej tyre, derisa për katër muaj të tjerë nuk ka dhënë llogari.
Nga Alston&Bird, Komisioni nuk i ka marrë raportet për muajt nëntor e dhjetor 2017, si dhe janar e shkurt 2018.
Pikërisht për këtë periudhë, Komisioni ka dyshime se mjetet u ndanë për librin autobiografik të Hashim Thaçit.
Patton Bogs, që me MPJ-në kishte kontratë mbi 1 milion e 300 mijë euro për periudhën 1 mars 2014, deri më 28 shkurt 2017, Komisionit ia ka dërguar raportet vetëm për 7 muajt e 2015-ës, ndërkohë që mungojnë 10 raporte për 2014-ën, 5 të 2015-ës, komplet raportet e 12 muajve për 2016-ën si dhe dy të 2017-ës.
Mungesë të raporteve Komisioni ka edhe nga kompania Cambdridge Academy, me të cilën kishte kontratë në vlerë prej 40 mijë eurosh për 4 muaj, nga shtatori deri në dhjetor të 2017-ës.
Ndërkohë, aktualisht, Presidenca ka një kontratë me Ballard Partners për konsulencë strategjike dhe shërbime avokuese, e lidhur me 22 dhjetor 2017, e që do të mbetet në fuqi deri më 21 dhjetor 2019.
Deri më 11 korrik, kur Presidenca i ka kthyer përgjigje interesimit të Kryetarit të Komisionit Hetimor, Dardan Sejdiu, kompanisë Ballard Partners i ka paguar 260 mijë euro për shërbimet e marra.
Megjithëse, Komisioni nuk i posedon të gjitha dokumentacionet, ata që po e bëjnë hetimin parlamentar thonë se kanë gjetje të mjaftueshme për keqpërdorimin e parasë publike.
Nënkryetari i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku, thotë se raporti përfundimtar i Komisionit do të jetë bazë për hetime të mëtutjeshme nga hetuesia.
Anëtarja tjetër e këtij komisioni, Arbërie Nagavci, deklaron se gjatë punës së komisionit është kuptuar se një numër i caktuar i pagesave është përcaktuar në mënyrë gojore nga menaxherët e kontratave, por nuk kanë dërguar raporte me shkrim.
Raporti përfundimtar i Komisionit Ketimor pritet të dalë në fillim të dhjetorit.