Në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes sot filloi aksioni tradicional për dhurimin vullnetar të gjakut. Ky aksion realizohet sipas planit vjetor të Departamentit për Çështje Mjekësore të MM-së në realizim të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe Regjimentit të Mjekësisë së FSK-së. Aksioni i filluar sot në MM do të vazhdojë në Shtabin e Përgjithshëm dhe në të gjitha njësitë e FSK- së, deri më datën 07 shkurt 2020.
Përkundër angazhimeve tjera, interesimi i stafit civil dhe ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes për dhurimin vullnetar të gjakut, që në ditën e parë ishte i madh. Kjo dëshmon se FSK-ja, vazhdon traditën e organizimit të dhurimit vullnetar të gjakut. Pjesëtarët e FSK-së përveç dhurimit në formë të organizuar së paku dy herë në vit, gatishmërinë për dhurimin vullnetar të gjakut e shfaqin gjatë tërë vitit në rast të kërkesave të qytetarëve.
Nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut vlerësohet se FSK-ja është dhuruesi më i madh i gjakut për qendrën e tyre.
Sikur edhe viteve tjera, ku brenda vitit pjesëtarët e FSK-së kanë dhuruar mbi 1 mijë doza gjak, pritet që ky aksion të përmbyllet suksesshëm.