Agjencia për Menaxhim të Emergjencave (AME) e Ministrisë së Punëve të Brendshme po organizon një stërvitje dyditore me njësitet për kërkim shpëtim me barka, në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera.
Në këtë ushtrim po marrin pjesë një ekip për shpëtim me barka prej 11 personave, stafi menaxhues, stafi përcjellës, vëzhgues dhe vlerësues nga Agjencia për Menaxhim të Emergjencave.
Ushtrimi është duke u udhëhequr nga drejtori i Departamentit të Gatishmërisë nga AME, Hajriz Sejdiu, i cili tha se ky aktivitet është planifikuar disa muaj më parë dhe zbatohet në vazhdën e ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve për ofrimin e ndihmës në raste të vërshimeve .
Ai tha se kjo është stërvitje sektoriale e njësisë për kërkim dhe shpëtim me barka në ujëra sipërfaqësor. Ai tha se ky modul është me karakter kombëtar, njësia është ngritur nga AME e MPB-së, ndërsa pjesëtarët e ekipit janë pjesëtarë të Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit Prishtinë.
“Ngritja dhe zhvillimi i kapacitetit të kësaj njësie ka filluar nga viti 2015 në kuadër të Programit të Komisionit Evropian i quajtur IPA FLOODS, dhe si i tillë ky program ka filluar në fillim të 2015 dhe përfundon në vitin 2018. Rrugëtimi i ndërtimit të kësaj njësie është bashkëveprim i AME-së së MPB-së, me programin IPA DG ECHO, ku AME është koordinator qeveritar i gjitha aktiviteteve nga përzgjedhja e stafit, edukimi, trajnimi , stërvitja dhe ushtrimet”, tha Sejdiu.
Ky aktivitet do ketë karakter operacional 24 orësh dhe përveç ditës do të zhvillohet edhe natën. Stërvitja është vazhdimësi e aktivitetit për mbajtjen e gatishmërisë së ekipit për reagim në raste të vërshimeve brenda dhe jashtë vendit, si koncept ide, organizim dhe pajisje nga ana e programit IPA të Komisionit Evropian, mekanizmit të Mbrojtjes Civile.
Me këtë stërvitje sektoriale AME ka për qëllim testimin e gatishmërisë së pjesëtarëve të ekipit dhe po ashtu edhe testimin e qëndrueshmërisë dhe gatishmërisë së mjeteve dhe pajisjeve për veprim në raste të emergjencave –vërshimeve në Kosovë dhe asistencë ose ndihmë rajonale ose shteteve fqinje.