Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, kanë marrë pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve në ndërtimin e rrugës Varosh–Gërlicë.
Ministri Lekaj tha se është ditë e veçantë që u është dhënë mundësia të investojnë te qytetarët si Ministri e Infrastrukturës dhe te një kryetar i përkushtuar për ta zhvilluar vendin.
Lekaj premtoi se do të vazhdojë t’i mbështetë të gjitha komunat e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Një lajm i mirë për bizneset për kyçje në autostradë duke filluar nga rruga apo vendbanimet Driton Islami , Talinofci i Muhaxherëve , Sazli dhe Papaz, që do të jetë kyçje me autostradën dhe do të ketë impakt pozitiv për bizneset”.
Ministri tha se projekti kushton 2 milionë e 645 mijë euro dhe do të përfundojë për 36 muaj. Ai tha se ky nuk do të jetë projekti i vetëm.
“Kemi hapur punishte në tërë Kosovën e sidomos në autostradën Arben Xhaferi”, shtoi ai.
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se ky është një projekt i madh dhe shumë i rëndësishëm për komunën e Ferizajt, raporton EO.
“Pas nënshkrimit të memorandumeve sot jemi pikërisht për ta bërë atë që kemi nënshkruar në praktikë, fillimin e punëve dhe projekteve që Ferizajn do e vazhdojnë ta bëjnë një ndër qytetet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”.
“Kemi filluar punimet në aksin më të rëndësishëm në Komunën e Ferizajt, i cili është i gjatë afërisht 5 kilometra dhe i gjerë prej 18 metrash, ku do të jenë 4 korsi, dy të qarkullueshme dhe dy ndihmëse dhe do ketë lidhje me autostradën në pjesën e Kaçanikut dhe me fshatrat e këtij regjioni”.
Ai po ashtu falënderoi ministrin Lekaj për mbajtjen e premtimeve dhe zotimeve për Ferizajn dhe konfirmoi se shumë shpejt ministri do të jetë përsëri në Ferizaj për projektin e radhës “Projekti për bashkimin e qytetit” që është një projekt shumë i madh dhe i veçantë për Komunën .