Me sloganin “Mbas verës, vjen vera” ka filluar edicioni i 16-të i HardhFest-it në Komunën e Rahovecit.
Në prani të shumë zyrtarëve të nivelit qendror, lokal dhe atyre ndërkombëtarë, ka filluar sot edicioni i 16-të i festivalit tani tradicional i vjeljes së rrushit.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, tha se po shënohet një ngjarje e rëndësishme e jetës së Rahovecit, fillimi i vjeljes së rrushit dhe se ky festival, vit pas viti po bëhet edhe më madhështor.
“Me këtë festival po e ndajmë gëzimin për tokën dhe vreshtat tona bashkë me ju, me qytetarët e gjithë Kosovës e më gjerë. Qyteti ynë sot ka hapur dyert e konakut për të gjithë qytetarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e më gjerë dhe sofrën do ta mbajë shtruar për katër ditë me radhë për t’ju pritur siç ka qenë zakon të priten miqtë gjithmonë. Ju do të mund të shijoni rrushin, verën, rakinë dhe shumë produkte tjera të rrushit. Do të mund të argëtoheni me muzikë të zgjedhur, me gara e aktivitete tjera të shumta që janë paraparë për këtë festë.”
Ndërsa në emër të këshillit organizativ ka folur nikoqirja e festivalit Djellza Jaha, e cila me këtë rast ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe ata të cilët kanë bërë të mundur realizimin e këtij festivali.
Me mirënjohje sot janë shpërblyer fermerët dhe verëtarët më të mirë, mirënjohje këto të cilat janë shpërndarë nga Kryetari i Komunës Idriz Vehapi.
Organizimi i festivalit ka për qëllim promovimin e kulturave bujqësore, respektivisht vreshtave, rrushit si dhe produkteve të rrushit, festivali do të zgjasë 7 deri me 10 shtator.