Ka nisur intervistimi i kandidatëve të mundshëm për të parin e Policisë së Kosovës. Lajmin për fillimin e procesit të intervistimit të kandidatëve e ka konfirmuar për “Zërin” njëri nga kandidatët për këtë pozitë Reshat Maliqi. Ndërkohë zyrtarë të Komisionit për Punë të Brendshme dhe për Siguri pohojnë se edhe Policia do të jetë e kapur nga politika si shumë institucione tjera publike.
Të hënën ka nisur intervistimi i kandidatëve të mundshëm për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Procesi i intervistimit për rreth 16 kandidatë për të parin e Policisë së Kosovës do të zgjasë deri të shtunën (25 gusht).
Që nga fillimi, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) vazhdimisht ka qenë e mbyllur rreth këtij procesi, duke mos dhënë asnjë detaj të vetëm.
Edhe kësaj here zyrtarë të kësaj Ministrie nuk e kanë parë të arsyeshme të japin çfarëdo përgjigje rreth asaj se deri ku ka arritur ky proces.
E kontaktuar nga “Zëri” zëdhënësja e MPB-së, Rroksana Qarri, u shpreh se pyetjet i janë dërguar personave përgjegjës.