Më shumë se 12 000 konsumatorë të ngrohtores së qytetit “Termokos” do të pajisen me njehsorë të mençur të kalkulimit të shpenzimeve të ngrohjes, duke ua mundësuar përdoruesve të rrjetit të paguajnë sipas konsumit e jo me metra katrorë si deri më tani, raporton Ekonomia Online.
Ky investim është bërë i mundur falë bashkëpunimit të inicuar muaj më parë, e që sot u formalizua me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK) dhe N.P. “Termokos”, në prezencë edhe të nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, MFK dhe “Termokos” zotohen për bashkëpunim në implementimin e projektit “Prishtina HeatSave”, që ka për qëllim faturimin në bazë te konsumit duke krijuar një sistem modern të faturimit për “Termokos”.
Sarah Olmstead, drejtoreshë e MCC për Kosovë, tha se pret të ketë një bashkëpunim të vazhdueshëm për të mbështetur sektorin e ngrohjes qendrore në Prishtinë, për të ofruar shërbime sa më të mira për klientët.
“Unë jam krenare që sot që jam dëshmitare e nënshkrimit të këtij Memorandumi që konfirmon partneritetin e ngushtë midis MCC, MFK, Termokos dhe Komunës së Prishtinës. Një nga vlerat thelbësore të MCC-së është ‘Gjithmonë̈ Mëso’, dhe ky aktivitet do të sigurojë mësim të rëndësishëm mbi llojet e teknologjisë dhe informacionit për të ndihmuar familjet e lidhura me ngrohjen qendrore të marrin nën kontroll komoditetin e tyre, si dhe shpenzimet e tyre financiare për ngrohje”.
“Pres të shoh një bashkëpunim të vazhdueshëm për të mbështetur sistemin e ngrohjes qendrore në Prishtinë, për të ofruar shërbim më të mirë dhe për të zgjeruar rrjetin për klientë të rinj̈ në kryeqytet”.
Petrit Selimi, drejtor ekzekutiv i MFK, u shpreh se ky investim është fokusuar në modernizimin e “Termokosit” duke futur njehsorë në banesat e Prishtinës.
“Sot jemi së bashku për të nënshkruar marrëveshjen ndërmjet MFK dhe Termokos ku do të investojmë 10milionë dollarë në një mënyrë të re të faturimit në Termokos, edhe shumë banorë që nuk kanë qenë vikendeve në Prishtinë dhe e kanë pasur shumë vapë dhe kanë paguar më shumë se që është dashur”.
“…ky projekt shkon direkt në xhepin e qytetarëve dhe ky është projekt i kursimeve dhe kjo lejon zgjerimin e kapacitetit të Termokosit dhe po fillon një fazë e re ku Termokosi do të bëhet një super kompani e faturimit”.
Kryeshefi i Termokos, Arsim Fetahu është shprehur se ky projekt ka rëndësi të madhe për qytetarët ku do t’u mundësojë edhe faturim të drejtë, raporton EO.
“Ky projekt ka rëndësi jetike për konsumatorët tanë, ajo që është me rëndësi që konsumatorëve tanë do ti mundësojë edhe faturim të drejtë dhe kjo do mundësojë edhe kursimin e energjisë”.
Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, falënderoi në emër të komunës donatorët si MCC, por edhe ata nga BE-ja dhe Gjermania që po investojnë në zgjerimin e modernizimin e “Termokosit”.
“Për qytetarët e Prishtinës është një lajm i mirë kur dihet që kjo ka impakt direkt sidomos në ekonominë e qytetarëve tanë dhe nr xhepin e popullatës tonë. Kjo marrëveshje ka impakt në xhepin e qytetarëve”.
Muajin e kaluar, MFK, “Termokos” dhe Komuna e Prishtinës kanë filluar me fazën e parë të implementimit të projektit “Prishtina HeatSave”, me ç’rast ekipet profesionale realizuan hulumtime teknike dhe sociale në apartamente dhe shtëpi individuale konsumatore të “Termokosit”.
Aktiviteti për Matjen e Ngrohjes Qendrore (DHM), mbështetur nga Millennium Challenge Corporation (MCC), është njëri nga aktivitetet kryesore në kuadër të Projektit “Peizazhi i Energjisë së Qëndrueshme” i Programit të Pragut, që ka për qëllim ta ulë shfrytëzimin e energjisë në amvisëri dhe të kalohet në burime joelektrike dhe më të pastra të ngrohjes nëpërmjet:
Pilotimit të llojeve të ndryshme të stimujve dhe të modaliteteve për t’i inkurajuar amvisëritë që të investojnë në masa me kosto efektive dhe kursim të energjisë (p.sh. izolimi, rezistenca ndaj motit, etj.).
Pilotimi i njehsimit të ngrohjes qendrore dhe i tarifave në bazë të konsumit në mënyrë që të vlerësohet ndikimi në efikasitetin potencial që do ta mundësonte zgjerimin e sistemit.