Edhe zyrtarisht të premten kanë filluar punimet për ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës rajonale Skenderaj-Drenas-Komoran, përkatësisht segmenti Komoran- Marinë ne gjatësi prej 17 kilometrash.
Ne fillimin e punimeve merrnin pjesë, kryeparlamentari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, deputet dhe shumë qytetarë.
Me këtë rast, kryeparlamentari Kadri Veseli, tha se kjo rrugë është e një rëndësie të veçantë, sepse ne këtë rrugë kanë ecur heronjtë që bënë historinë e Kosovës. “Sot filluam punimet e kësaj rruge për të nderuar kujtimin e tyre. Njëkohësisht, për të dëshmuar forcën tonë për të ecur përpara, forcën tonë për ta zhvilluar Drenicën, për ta zhvilluar Kosovën, për ta fuqizuar shtetin dhe garantuar të ardhmen e siguritë për fëmijët e Kosovës”, ka thënë kryeparlamentari Veseli dhe ka shtuar se kjo rrugë moderne nga Klina e Epërme e deri në Komoran, meriton të marrë emrin e heroit kombëtar Shaban Polluzha.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka falënderuar të pranishmit, ata që kanë ndihmuar jetësimin e këtij projekti. Ai ka shtuar se rruga e cila po fillon të ndërtohet është shumë më vlerë për Drenasin, Drenicën dhe gjithë Kosovën. Ai ka shtuar se rrjetëzimi i Drenicës me autostradë me katër korsi, do të jetë lehtësim për të gjithë qytetarët, jo vetëm të Drenicës, por të gjithë atdhetarëve që vijnë me rastin e ditëve të shënuara, në këtë zonë të pasur me histori, sidomos në kompleksin memorial “Adem Jashari”.
Ndërsa edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka falënderuar të pranishmit dhe ka shtuar se kjo rrugë ka qenë shumë e nevojshme për këtë anë, pasi që kanë kaluar miliona njerëz dhe gjendja e rrugës nuk i plotësonte kërkesat e shumta që kishte kjo rrugë.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se Drenicën po e lidhim me korridore të rëndësishme infrastrukturore. “Sot filluam punimet në Segmentin R102 Komoran – Marinë, 17 kilometra e gjatë e cila duhet të përfundojë para dimrit të vitit 2019. Drenica ka dhënë shumë për Kosovën dhe kjo që filluam sot është diçka nga ajo që do të bëjmë në mandatin tonë katër vjeçar. Se shpejti do të fillojë edhe rruga nga Feronikeli deri të Kroi i Mbretit, 5 kilometra e gjatë që do të lidhë fshatrat me korridorin N 9, Prishtinë – Pejë”, ka thënë ministri Lekaj. Ai ka shtuar se do të vazhdojmë edhe me investime të tjera për Drenicën që janë ne interes të qytetarëve tanë. “Drenica ashtu si krejt Kosova deri në vitin 2023 do të jetë e kompletuar në infrastrukturë, moderne dhe me të gjitha elementet e sigurisë dhe sinjalistikës.