Financimi nga prindërit, mënyra më stabile për të studiuar

Prishtinë | 02 Pri 2017 | 10:31 | Nga

Studentët kryesisht varën financiarisht nga prindërit, gjatë periudhës sa ata studiojnë, disa punojnë për të siguruar vetëfinancimin gjatë studimeve.

Gentiana Hoxha, studente, thotë se ka gjetur një mënyrë të kombinuar për t’i financuar studimet.

“Financohem nga prindërit, por punoj edhe pak vetë. Jap mësim privat në një kurs për gjuhë gjermane”, thotë ajo.

Kurse Shpëtim Jasharit i ndihmojnë prindërit, por thotë se po kërkon edhe punë.

“Për studimet e mia deri më tash më së shumti më financojnë prindërit. Por po mendoj me gjet punë për t’i financuar vet në të ardhëm”, thotë Shpëtimi.

Ndërkaq, Edioni thotë se gjatë verës mundohet të punojë, që sado pak ta zbusë mungesën financiare.

“Për studime kryesisht më ndihmojnë prindërit, por edhe punoj vetë, por edhe gjatë verës punoj për gërmime arkeologjike”, thotë Edion Sellaj, në një anketë të Radios Evropa e Lirë.

“Prindërit më financojnë”, shprehet Fjolla Shabanaj, po ashtu studente.

Rita Vehapi thotë se prindërit janë ata që e financojnë për studime, pasi ajo nuk punon.

“Veç prindërit, unë nuk punoj asgjë:, thotë ajo.

Megjithatë, ka edhe prej atyre studentëve që qysh herët kanë gjetur punë dhe kanë financuar vetë studimet. Por financimi i prindërve pothuajse është mënyra më e qëndrueshme, pasi ai tash ka mbetur pa punë.

“Deri tash kam qenë duke punuar, por kohëve të fundit po më ndihmojnë edhe prindërit”, tregon Endrit Smajli, student.

Leotrimi ka zgjedhë një mënyrë që t’ua lehtësojë edhe prindërve financimin.

“Punoj gjysmë orari, por edhe më ndihmojnë prindërit. Punoj si sigurim natën”, thotë Leotrim Krasniqi.

Studentët thonë se shpenzimet e tyre arrijnë prej 200 deri në 300 euro për muaj. Por ata studentë të cilët udhëtojnë, shpenzimet i kanë më të vogla, thonë ata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme