Firma kineze shfrytëzon punonjësit e saj për të testuar vaksinën

Prishtinë | 16 Kor 2020 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Në garën globale për të krijuar një vaksinë kundër koronavirusit, një kompani shtetërore në Kinë po mburret më faktin se punonjësit e saj, përfshirë edhe drejtorët kryesorë, kanë marre doza eksperimentale të vaksinës edhe para se të aprovohej për testim në njerëz nga ana e Qeverisë.

“Duke ndihmuar drejt fitores”, shkruan në një postim të kompanisë SinoPharm, me fotografi të punonjësve për të cilët thotë se ndihmuan në “testimin paraprak” të vaksinës.

Pavarësisht se a shihet si një sakrificë heroike apo shkelje e normave ndërkombëtare etike, e tërë kjo situatë thekson sa e madhe është gara në mes Kinës, SHBA-së e Britanisë për të zbuluar të parët vaksinën, e cila do t’i jepte fund pandemisë, fitore që do të sjellë triumfin edhe shkencor, por dhe politik, shkruan AP të enjten.

“Gjetja e vaksinës për COVID-19 është ‘Kupa e shenjtë’ e re”, tha Lawrence Gostin, një ekspert ligjor global për shëndetësinë publike në Universitetin Georgetown. “Gara politike për të qenë të parët është e njëjtë si që ka qenë gara në mes SHBA-së e Rusisë për të shkuar në Hënë”.

Kina e ka pozicionuar veten si një garuese e fuqishme. Tetë nga afro 20 vaksina potenciale në shkallë të ndryshme të testimit në njerëz, vijnë nga Kina. Dhe SinoPharm me një kompani tjetër kineze tashmë kanë lajmëruar se po hynë në fazat finale të testimit.

Edhe Kina edhe SinoPharm kanë investuar shumë në teknologjinë tashmë të dëshmuar si efikase, ku krijohet një vaksinë “joaktive” duke rritur virusin në laborator e pastaj duke e mbytur, njëjtë siç bëhet vaksina e polios. Ndërsa prodhuesit në Perëndim përdorin një teknologji më të re, më pak të dëshmuar e cila përpiqet të godasë proteinën “e thumbave”, e cila e mbulon virusin dhe me të cilin ai sulmon qelizat.

Deklarata e SinoPharm se 30 “vullnetarë specialë” përvjelën mëngët edhe para se të merrej leja për studimin fillestar në njerëz, ka ngritur brenga rreth etikës në shtetet perëndimore. Posti i kompanisë citon një “shpirt të sakrificës” dhe tregon fotografinë e shtatë njerëzve me kravata, shkencëtarë, biznesmenë dhe një zyrtar i Partisë Komuniste me të kaluar në propagandën ushtarake, transmeton KOHA.

“Njerëz të gatshëm për t’u sakrifikuar… është gjë që pritet në Kinë”, tha Yanzhong Huang, ekspert i shëndetësisë globale në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, një organizatë jofitimprurëse nga SHBA.

SinoPharm është duke testuar dy vaksina të cilat morën leje nga qeveria për testimet e fazës së parë në mes të prillit. Por tha se kishte bërë “testimin paraprak” në fund të muajit mars “në mënyrë që vaksinat të dalin në treg sa më shpejtë”.

Me një vaksinë kundër COVID-19, krenaria kombëtare kineze është në pyetje. Presidenti Xi Jinping u zotua se vaksina e krijuar në Kinë do të jetë një “e mirë publike globale”.

Por nuk është gjë e re që shkencëtarët të eksperimentojnë në vetveten.

Rreth vitit 1900, Pierre Curie, bashkëshorti i Marie Currie, me qëllim e dogji dorën me radium si pjesë e eksperimenteve të tyre mbi radiacionin. Në vitet 1950, Jonas Salks e testoi vaksinën e tij kundër polios te vetja dhe familja e tij e që doli të jetë e suksesshme. Dhe në Kinë në vitet 1970, hulumtuesja e quajtur Tu Youyou, duke punuar në një program të fshehtë ushtarak, e zbuloi një ilaç të rëndësishëm kundër malaries, të cilin e testoi te vetja. Në vitin 2015, ajo fitoi çmimin Nobel.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme