E udhëhequr nga hendbollisti Deniz Terziqi, Prishtina e ka mposhtur skuadrën pejane Besa FamGas për të “ngjallur” garën për titull të kampionit të Kosovës në hendboll.
Për Besën ishte humbja e parë kampionale pas afro katër vjetësh. Terziqi, që është prej lojtarëve më të mirë në vend, shënoi plot 13 gola për t’ia mundësuar Prishtinës fitoren me shifrat 35:29, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndeshja u luajt të shtunën mbrëma në Prishtinë, ndërsa mblodhi rreth 500 shikues. I takoi xhiros së 16-të të kampionatit të Kosovës në hendboll, ndërsa u vlerësua kryendeshje e stinorit.
Tani Besa e Prishtina kanë nga 30 pikë në krye të klasifikimit, dhe pritet të zhvillojnë garë të fortë për titull deri në fund.
Besa po e dominon hendbollin kosovar në vitet e fundit. Vazhdimisht ka fituar trofetë dhe në vitet e fundit pos dy barazimeve me Prishtinën, ka fituar bindshëm ndeshjet e tjera. Për shumë adhurues, kampionati nisi të bëhej monoton për shkak të dominimit të madh të pejanëve. Por Prishtina u kujdes për të “aktivizuar” garën.