Seleksionuesi i Gjermanisë, Joachim Loew, e ka vlerësuar fitoren në çastet e fundit ndaj Holandës të dielën si një hap të rëndësishëm në procesin e rindërtimit të skuadrës së tij.
Me golin e shënuar në minutën e fundit nga Nicol Schulz, Gjermania fitoi 3:2 në udhëtim ndaj Holandës në ndeshjen e parë të saj në eliminatoret për “Euro 2020”. Loew është duke rikonstruktuar skuadrën që ishte kampione e botës në vitin 2014, por dështoi keq në Botërorin e vitit të kaluar në Rusi.
Gjermania më pas ra edhe nga Liga A e Ligës së Kombeve pas rezultateve të dobëta në pjesën e dytë të vitit 2018.
“Një ndeshje si kjo i takon procesit që duhet të kalojmë me një skuadër kaq të re”, ka deklaruar Loew, ndërsa Gjermania kryesoi 2:0 në pjesën e parë me golat e Leroy Sanes dhe Serge Gnabryt, por lejoi të kthehej Holanda dhe të barazonte. “Ajo që më pëlqeu ishte se ne besuam në fitore. Skuadra tregoi një luftë të shkëlqyer dhe patëm pak fat në lojë që na mungonte së fundi. Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë”.