Erica Hernandez e quan veten fizioterapeutja e parë femër në futbollin profesionist kinez, por spanjollja është e sigurt që nuk do të jetë e fundit në botën e futbollit. Së bashku me burrin Jordi Escura, një ish-mbrojtës i Andorrës, ata i bëjnë shërbimet mjekësore në skuadrën Qingdao Huanghai, që bën gara në Superligën e Kinës, shkruan AFP.
Mediat kineze i quajnë ata “çifti i mrekullueshëm mjekësor”. Por ndërsa femrat po bëhen gati ngadalë duke u përfshirë më shumë në futbollin e meshkujve, Hernandezi pranon se ndihet paksa e veçantë për faktin se është pjesë e një kampionati, i cili tërësisht mbizotërohet nga meshkujt.
“Unë thjesht dua të them se ajo që dua të shoh së shpejti është sa më shumë femra në futbollin e meshkujve, të cilat do të punojnë në pozita të caktuara nëpër klube. Ndihem krenare që jam femra e parë fizioterapeute, por shpresoj të mos jem edhe e fundit”, tha Hernandezi nëpërmjet “e-mailit” nga Suzhou, ku gjysma e 16 skuadrave të Superligës së Kinës janë duke u ruajtur nga koronavirusi.
“Uroj që të gjitha të trajtohemi thjesht si profesionistë, pa marrë parasysh gjininë tonë”. Në fakt, 40-vjeçarja është fizioterapeutja e vetme femër jo vetëm në Superligën e Kinës, por edhe në kategorinë e dytë. Pra, në dy divizionet e futbollit kinez. “Nga përvoja ime, ajo që dëshiron që lojtari është që të rimarrë veten sa më shpejt dhe më mirë, pasi atij nuk i intereson se kush e trajton për aq kohë sa të ndihmohet për t’u kthyer në fushë”, thotë ajo.
Hernandezi, e cila ka qenë pjesë e ekipit Qingdao për rreth pesë vjet pas një përvoje në futbollin e Tajlandës, thekson se ajo kurrë nuk është përballur me ndonjë diskriminim seksual në klubin që gjendet në brigjet verilindore të Kinës.
“Unë e di se ekzistojnë disa paragjykime dhe tradita që diskriminojnë gratë, por te klubi im më trajtojnë njëjtë. Pra, nuk më dallojnë prej të tjerëve. Por, edhe unë e kryej punën time në mënyrë profesionale. Ndihem mirë këtu dhe shpresoj të jem pjesë e klubit edhe për shumë vite të tjera”, shprehet Hernandezi.